Politike

Zgjedhjet e ardhshme vendore/ PS rrëmben pjesën e “luanit”, Meta merr edhe “paratë e Berishës”, Tom Doshi në vend të katërt

Formula merr në konsideratë numrin e votave të mbledhura nga subjekti në garën e 14 majit, ku performanca e mirë e socialistëve do t’u mundësojë akoma më shumë fonde në garën e ardhshme për bashkitë.

24 Gusht 2023, 17:06 Nga m.s
Zgjedhjet e ardhshme vendore/ PS rrëmben pjesën e
Rama, Berisha dhe Meta

TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, gjatë mbledhjes së të enjtes miratoi vlerën e një flete votimi, duke mundësuar përllogaritjet e mbështetjes financiare që do të marrin partitë politike në zgjedhjet e ardhshme vendore. Formula merr në konsideratë numrin e votave të mbledhura nga subjekti në garën e 14 majit, ku performanca e mirë e socialistëve do t’u mundësojë akoma më shumë fonde në garën e ardhshme për bashkitë. Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, aprovoi projekt-aktin nga e cila përcaktojnë vlerën e votës në shumën e 81 lekëve. “Nga partitë politike nuk kemi patur komente! Ok, e miratojmë projekt-aktin nga e cila përcaktojnë vlerën e votës në shumën e 81 lekëve”, tha Celibashi.

Përllogaritja e vlerës së një vote bëhet duke pjesëtuar fondin e përgjithshëm të miratuar me numrin në total të votave të vlefshme të grumbulluara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje, që kanë marrë jo më pak se 1 përqind të votave.

Duke marrë shkas edhe nga zgjedhjet e fundit, shuma më e madhe e fondit që do të shpërndahet për partitë politike i takon Partisë Socialiste, si fituesja absolute në procesin e 14 majit. Me 579 mijë votat e marra në zgjedhjet lokale të 14 majit, Partisë Socialiste i takon të marrë afro gjysmën e fondit për zgjedhjet e ardhshme. PS do të marrë pjesën e "luanit", si fituese e zgjedhjeve vendore, pasi arriti të marrë mbi 579 mijë vota.

E dyta për fondin e përfituar është Partia e Lirisë, që ishte subjekti kryesor i koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Ilir Meta si drejtues i koalicionit “Bashkë Fitojmë” ka rreth 247 mijë vota. Socialistët do të marrin 46.9 milionë lekë, ndërsa Ilir Meta 20 milionë. Partia Demokratike zyrtare, për herë të parë në 30 vite nuk do të jetë një nga dy përfitueset më të mëdha të buxhetit shtetëror që jepen për partitë. PD zyrtare mori 103 mijë vota, e përkthyer në 8.4 milionë lekë. E katërta renditet PSD-ja e Tom Doshit, që në zgjedhjet e fundit vendore mori 86 mijë vota, që shkon në rreth 6.9 milionë lekë.

kqz zgjedhjet rama meta berisha

Sondazh

Poll