Aktualitet

Vaksinimi i detyruar i fëmijëve/ Silva Bino apel Inspektoratit Sanitar, për shkollat që lejojnë nxënësit pa kartela (VIDEO)

Ajo ka konstatuar shkelje ligjore në shkollat private, të cilat lejojnë regjistrimin e fëmijëve pa kartelën e vaksinimit.

21 Gusht 2023, 16:02 Nga m.s
Vaksinimi i detyruar i fëmijëve/ Silva Bino apel Inspektoratit
vaksinim

TIRANE- Shefja për sëmundjet infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, ka apeluar për vaksinimin e detyruar të fëmijëve. Ajo ka konstatuar shkelje ligjore në shkollat private, të cilat lejojnë regjistrimin e fëmijëve pa kartelën e vaksinimit.

Silva Bino, në një prononcim për "A2", i bën thirrje Inspektoratit Sanitar, të marrë masat për çdo shkelje të konstatuar. Sipas ligjit për sëmundjet infektive dhe rregullores së Ministrisë së Arsimit, fëmijët nuk mund të regjistrohen në institucionet arsimore publike dhe private, pa kryer vaksinat e detyruara sipas kalendarit.

Më herët, ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik, por edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin se pas pandemisë, ka rënie të vaksinimit të fëmijëve, veçanërisht ndaj vaksinës së fruth-rubeolës në moshën 1 dhe 5-vjeç.

Bino bën me dije se pasojat e fruth-rubeolës janë shumë të rënda te fëmijët, ndërsa thekson se vaksina kundër kësaj sëmundje nuk shkakton autizëm. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, Tirana, Durrësi, Elbasani dhe Delvina janë qytetet që kanë shënuar ulje të vaksinimit ndaj fruth-rubeolës vitin e fundit. Në rang vendi, vaksinimi ndaj fruthit me një dozë ka rënë në 89% dhe me dy doza nën 95%, nga mbi 98% që ishte mbulesa vaksinale në të gjithë vendin.

silva bino vaksinimi nxenesit shkolla

Sondazh

Poll