Aktualitet

Fluks vizitash për sëmundjet e shëndetit mendor, ekspertët: Vapa ndikon në ndërprerjen e terapive, mosha më e prekur 18-40 vjeç

Sipas mjekes psikiatre, Valentina Asabella, është pikërisht kjo kategori pacientësh që shtrohen më së shumti në spitalin Psikiatrik, pas krizave që pësojnë.

14 Gusht 2023, 13:35 Nga k.m.
Fluks vizitash për sëmundjet e shëndetit mendor, ekspertët:
Foto ilustruese

Në poliklinikën nr.3 të specialiteteve në Tiranë  janë shtuar rastet e pacientëve me probleme të shëndetit mendor që kërkojnë ndihmën e mjekut specialist. Në një prononcim për Gazetën “Si”, mjekja psikiatre Valentina Asabella thotë se shumë prej tyre kalojnë dhe kriza.

Sipas mjekes psikiatre, shkak i krizës është ndërprerja e terapisë si pasojë e të nxehtit.

Por cila është lidhja e sëmundjeve mendore me temperaturat e larta?

“Tek njerëzit bipolarë shpesh ndizet poli i teprimeve: i gjallërisë, i shpenzimeve, i paqëndrueshmërisë. Repartet e psikiatrisë janë të mbushura me këto “raste urgjente”. Fajësohet humbja e gjumit nga nxehtësia. Sepse depresioni maniak rritet në vapë,”- thonë ekspertët.

Sipas mjekes psikiatre, Valentina Asabella, është pikërisht kjo kategori pacientësh që shtrohen më së shumti në spitalin Psikiatrik, pas krizave që pësojnë.

“Pacientët që kalojnë krizë lënë mjekimin, u rëndohet gjendja dhe shfaqin sjellje agresive në familje dhe komunitet. Shumë prej këtyre rasteve i shtrojmë në spital me ndihmën e policisë për shkak të sjelljes së dhunshme”, thotë psikiatrja.

Mjekja psikiatre e poliklinikës nr.3 të specialiteteve në Tiranë thotë se mosha më e prekur nga sëmundjet mendore është 18-40 vjeç, por ka dhe të moshuar.

Sipas mjekes Asabella, shumë prej pacientëve nuk pranojnë të marrin mjekimin dhe këtu qëndron vështirësia në punën e tyre.

Mjeku i familjes, porta e parë pritëse

Mjeku i familjes është kontakti i parë që trajton pacientët me sëmundje të shëndetit mendor. Por mjekët thonë se jo të gjithë të sëmurët vendosin kontaktet me mjekun e tyre të familjes.

“Ne e dimë që gjatë stinës së verës shtohen rastet problematike me probleme të shëndetit mendor pasi zakonisht dielli ndikon pozitivisht në humor dhe kjo i shtyn të lënë terapitë, ti neglizhojnë medikamentet dhe të mendojnë që s’kanë nevojë, gjë që çon në rëndimin e gjendjes shëndetësore të pacientit”, thonë mjekët.

Nga ana tjetër, një faktor që ndikon negativisht është dhe stigma dhe mungesa e informacionit të familjarëve që nuk njoftojnë urgjencën për sjelljet agresive të familjarit të tyre.

“Njerëzit akoma sot kanë turpin e sëmundjeve mendore dhe jo merakun e degradimit të tyre. Turpi se mos njerëzit marrin vesh se ka sëmundje mendore është më i madh sesa meraku për dëmtimin e shëndetit”, thonë ekspertët. Mjekët bëjnë apel që për çdo problem apo shqetësim që mund të kenë të sëmurët, ti drejtohen qendrës shëndetësore për të marrë udhëzimet e nevojshme dhe respektuar zinxhirin e referimit, me qëllim ekzaminimin e duhur tek mjeku specialist dhe shmangien e krizave që shfaqen në rastet e mungesës së mjekimit./GazetaSi

shendeti mendor ne shqiperi

Sondazh

Poll