Bota

Përmbytje dhe evakuime të reja në Norvegji, lumenjtë dolën nga shtrati, më shumë se 4 mijë njerëz lanë banesat (VIDEO)

Norvegjia po përballet me përmbytje të reja dhe evakuime, pasi lumenjtë dolën nga shtrati i tyre, me nivelet e tyre që tejkalojnë pikën më të lartë në dekada për shkak të shiut të dendur në fillim të javës.

10 Gusht 2023, 17:00 Nga m.s
Përmbytje dhe evakuime të reja në Norvegji, lumenjtë
Permbytje ne Norvegji

NORVEGJI- Norvegjia po përballet me përmbytje të reja dhe evakuime, pasi lumenjtë dolën nga shtrati i tyre, me nivelet e tyre që tejkalojnë pikën më të lartë në dekada për shkak të shiut të dendur në fillim të javës.

Më shumë se 4.000 njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në jug të Norvegjisë, sipas autoriteteve lokale. Pothuajse gjysma e tyre banonin në Henefos, që ndodhet rreth 40 kilometra në veriperëndim të Oslos, raportojnë mediat e huaja.

Erërat e forta, shiu i rrëmbyeshëm dhe rrëshqitjet e dheut goditën vendin në fillim të kësaj jave, duke ndërprerë energjinë në shumë zona dhe duke paralizuar transportin publik. Dje, një digë hidroelektrike u shemb në një lumë. Shumë rrugë mbetën të mbyllura dhe shërbimet e trenave u anuluan sot në pjesën më të madhe të Norvegjisë jugore. 

Autoritetet paralajmëruan se megjithëse shiu kishte pushuar, përmbytjet e mëtejshme ishin të mundshme pasi uji rrodhi drejt zonave bregdetare në një lartësi më të ulët. “Përmbytjet ndoshta do të jenë problem edhe për dy deri në tre ditë”, tha Ingvild Vila, një meteorologe në Institutin Meteorologjik Norvegjez (NMI).

"Ndryshe nga shumica e motit të keq që godet Norvegjinë, që vjen nga perëndimi, ky mbërriti nga lindja, kur dy presione të ulëta barometrike u bashkuan dhe u intensifikuan ndërsa iu afruan Skandinavisë", shpjegoi NMI. Sipas institutit, të dhënat tregojnë se reshjet janë rritur me rreth 18% në shekullin e fundit, me rritjen më të madhe të regjistruar në 30-40 vitet e fundit.

Jana Silman, drejtoreshë e kërkimit në Qendrën e Oslos për Kërkimin Ndërkombëtar të Klimës, tha se ngjarjet ekstreme të motit si shirat e rrëmbyeshëm të kësaj jave, do të bëhen më të shpeshta ndërsa planeti ngrohet. 

"Ngrohja globale ngroh atmosferën dhe një atmosferë më e ngrohtë mund të lëvizë më shumë ujë, dhe kjo është arsyeja pse ekziston kjo marrëdhënie e fortë midis një klime më të ngrohtë dhe më shumë reshjeve", tha Shillman, e cila është bashkëautore e raporteve të panelit të ekspertëve të OKB-së.

norvegji permbytje

Sondazh

Poll