Bota

Spanja në mëshirë të vapës, thahet liqeni më i madh në Donana

Spanja po përjeton valën e tretë të të nxehtit këtë verë, ndërkohë që shterimi i rezervave ujore ka sjellë miratimin e masave kufizuese për konsumin e ujit në disa zona të vendit.

10 Gusht 2023, 16:44 Nga m.s
Spanja në mëshirë të vapës, thahet liqeni më i
thatesire ne Spanje

SPANJE- Për të dytën verë radhazi, liqeni më i madh në parkun kombëtar në Donana, në jug të Spanjës, është tharë plotësisht, njoftoi sot Këshilli Kombëtar i Kërkimeve të Spanjës (CSIC). Spanja po përjeton valën e tretë të të nxehtit këtë verë, ndërkohë që shterimi i rezervave ujore ka sjellë miratimin e masave kufizuese për konsumin e ujit në disa zona të vendit, raportojnë mediat e huaja.

"Që kur filluam mbledhjen e të dhënave për zonën para gjysmë shekulli, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë për dy vite radhazi, gjë që tregon seriozitetin e situatës me të cilën përballet sistemi i liqenit të Donanës dhe bashkë me të edhe biodiversitetin që varet prej tij”, thotë CSIC në një deklaratë.

Ligatina e Donianës është shtëpia e shumë specieve endemike dhe të rrezikuara, si ngjalat e ujërave të ëmbla dhe breshkat. Shumica e liqeneve në Donana janë kalimtare, që do të thotë se shtretërit e tyre mbushen me ujë shiu kur ujërat nëntokësore derdhen në dimër dhe thahen në muajt e ngrohtë.

Disa, megjithatë, mbajnë ujë edhe gjatë verës dhe janë një strehë e vlefshme për zogjtë shtegtarë që shkojnë në jug pas lindjes në Evropën veriore. Sipas studiuesve, Donana vitet e fundit përjetoi nivelet më të ulëta të reshjeve në një dekadë dhe temperaturat mesatare më të larta të regjistruara ndonjëherë, 18.53°C.

Por liqenet e Donanës nuk kërcënohen vetëm nga thatësira dhe nxehtësia. Ata janë të rrethuar nga një det me serra dhe një sistem tubash labirint që transporton ujin nga puset e paligjshme për të vaditur kulturat e luleshtrydheve.

Qeveria vendore konservatore e Andaluzisë ka në plan të legalizojë tërheqje shtesë të ujit nga Donana, duke shkaktuar një protestë nga ambientalistët.

donana spanje

Sondazh

Poll