Bota

Qeveria e re në Malin e Zi, Milatoviç mandaton kreun e Lëvizjes 'Evropa Tani'

Në një konferencë për shtyp, presidenti malazez bëri me dije se Spajiç, aktualisht ka mbështetjen e pakushtëzuar të vetëm 29 deputetëve, e cila është e pamjaftueshme për t’u bërë zyrtarisht kryeministër pasi shumica minimale në parlamentin me 80 deputetë gjithsej është 41 deputetë.

10 Gusht 2023, 13:24 Nga k.m.
Qeveria e re në Malin e Zi, Milatoviç mandaton kreun e Lëvizjes
Jakov Milatoviç dhe Miljoko Spajiç

MAL I ZI- Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç i dha zyrtarisht mandatin për formimin e qeverisë së re kryetarit të Lëvizjes Evropa Tani, Miljoko Spajiç. Në një konferencë për shtyp, presidenti malazez bëri me dije se Spajiç, aktualisht ka mbështetjen e pakushtëzuar të vetëm 29 deputetëve, e cila është e pamjaftueshme për t’u bërë zyrtarisht kryeministër pasi shumica minimale në parlamentin me 80 deputetë gjithsej është 41 deputetë.

Gjatë konsultimeve formale në më pak se dy javë, presidenti Milatoviç ka biseduar me përfaqësuesit e 18 subjekteve politike të përfaqësuara në Parlamentin e Malit të Zi. Ai tha se nga Spajiç pret përgjegjësi dhe përshtatshmëri në këtë proces.

“Si president i Malit të Zi, besoj se na duhet një qeveri politike dhe reformuese,”- tha Milatoviç. Ai tha se pret që ky proces të jetë gjithëpërfshirës.

Spajiç i ka tani 90 ditë për të formuar koalicion dhe për ta formuar Qeverinë. Partia Evropa Tani ka dalë e para në zgjedhjet parlamentare të qershorit.

Përbërja e Qeverisë në ardhje do të ofrojë një pasqyrë të asaj se kah do të drejtohet ky vend, ndonëse vazhdimisht përmendet synimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Zgjedhjet e qershorit janë mbajtur vetëm disa muaj pasi udhëheqësia politike e Malit të Zi është goditur nga humbja e ish-presidentit Millo Gjukanoviq në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të prillit. Prej formimit të saj më 2022, partia Evropa Tani është zotuar për të çuar përpara platformën pro evropiane dhe është zotuar për rritje të pagave e kryerje të reformave.

jakov milatoviç miljoko spajiç

Sondazh

Poll