Aktualitet

Zona teknologjike Tiranë, lidhet kontrata për ndërtimin e infrastrukturës brenda zonës ekonomike

Ndërtimi i infrastrukturës synon që të krijojë lehtësi aksesi në një zonë të kryeqytetit që parashikohet të zhvillohet sipas një modeli që më herët është njoftuar nga Bashkia.

7 Gusht 2023, 12:07 Nga k.m.
Zona teknologjike Tiranë, lidhet kontrata për ndërtimin e
Foto ilustruese

Bashkia Tiranë tashmë ka lidhur kontratën me operatorin fitues të procedurës “Ndërtimi i infrastrukturës publike” brenda zonës teknologjike. Në sistemin e prokurimeve u njoftua avancimi i kësaj procedure ku kompania Salillari sikurse u njoftua më herët ishte fituese e garës me një ofertë prej 386 milionë lekësh apo rreth 3.5 milionë euro ku përfshihet edhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar.

Ndërtimi i infrastrukturës synon që të krijojë lehtësi aksesi në një zonë të kryeqytetit që parashikohet të zhvillohet sipas një modeli që më herët është njoftuar nga Bashkia.

Zona e propozuar për krijimin e Zonës të Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik ”TEDA” është në një zonë pranë Njësisë Administrative Kashar. Trualli pozicionohet në zonën Yzberisht , Gropaj dhe Kashar përkatësisht në zonat kadastrale ZK 3866 , ZK 1867 dhe ZK 2105.

Sipërfaqja e përzgjedhur për zhvillimin, është rreth 35 hektare me mundësi zgjerimi deri në 50 hektare. sipërfaqja është e mjaftueshme për instalimin e infrastrukturës së nevojshme të projektit.

Trualli shtrihet në një terren fushor dhe pjesa më e madhe e parcelave të përfshira në zonën TEDA kanë karakteristika bujqësore të papërdorura ose pjesërisht të kultivuara.

Zona Teknologjike e Zhvillimit është cilësuar si një nga projektet e rëndësishme të Bashkisë së Tiranës dhe më herët ka marrë edhe statusin e investimit strategjik nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve.

Dhënia e statusit të investimit strategjik në vitin 2021 u argumentua me planin e biznesit të parashikuar nga Bashkia e Tiranës për këtë zonë ku vlera e investimit të projektit me potencial strategjik “TEDA Tiranë” plotësonte kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike. Konkretisht vlera e investimit parashikohet të jetë 16 (gjashtëmbëdhjetë) milion Euro, pa përfshirë vlerën e investimit të operatorëve, duke punësuar 5000 – 7000 punonjës.

Subjekti aplikues në këtë rast Bashkia Tiranë, propozonte në dokumentet dorëzuar në KIS zhvillimin e projektit Zona Teknologjike dhe e Zhvillimit Ekonomik (TEDA) Tiranë, për zgjerimin e gamës se industrive operuese në treg, duke krijuar diversifikim për të tërhequr industri prodhuese komplekse, siç janë industria automobile, ICT, industria e pajisjeve elektronike./Monitor

tirane zona teknologjike

Sondazh

Poll