Sport

Besiktasi lë Tiranën edhe “pa portier”, Gentian Selmani 3 deri në 5 muaj pushim!...

Portieri Selmani i pafat. Dëmtohet rëndë, që sipas specialisëve, mendohet ta lejë për shumë kohë jashtë fushave, Tirana duhet të nxitojë për të gjetur një zëvendësues

5 Gusht 2023, 17:30 Nga DOSJA
Besiktasi lë Tiranën edhe “pa portier”, Gentian Selmani 3

TIRANE - Portieri bardheblu, Gentian Selmani, pësoi një dëmtim të rëndë në ndeshjen e së enjtes mes Tiranës dhe Besiktas, e vlefshme për turin e dytë të Conference League.

‘Gardiani’ kryeqytetas u largua nga fusha e lojës me barrelë në minutën e 32-të, duke sinjalizuar një dëmtim të rëndë. Ekzaminimet e bëra në orët në vijim treguan se 25-vjeçari ka pësuar një frakturë, që për fatin e keq do e mbajë disa kohë jashtë fushave të lojës.

I pafati Gentian Selmani, i cili vetëm pak javë më parë ishte bashkuar me bardheblutë e kryeqytetit pëson një dëmtim, që sipas specialitëve të fushës do ta mbajë 3 deri në 5 muaj jashtë fushave të blerta.

25-vjeçari u afrua si pasuesi i Visar Bekajt, i cili u transferua në Turqi, por tani bardheblutë janë të detyruar që të futen në merkato për të gjetur një zëvendësues për Selmanin, derisa ky i fundit të riaftësohet.

Aktualisht, Tirana ka në stol “veteranin” Ilion Lika, i cili tani ka 43 vite mbi supe, si dhe dy portierët e akademisë, 20-vjeçarin Leon Kozi dhe 18-vjeçarin Tomas Kiri. Në të tilla kushte, Tirana do të nxitojë për të gjetur një portier tjetër në këto ditë merkato që kanë mbetur, ndonëse nuk do të jetë e lehtë, për shkak se tregu nuk ofron shumë opsione.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll