Bota

Tërheqja e efektivëve nga komunat në Veri, reagon Kurti: Po zbatojmë marrëveshjen e Bratisllavës!

4 Gusht 2023, 11:41 Nga f.i
Tërheqja e efektivëve nga komunat në Veri, reagon Kurti: Po
Albin Kurti

KOSOVË- Policia e Kosovës ka njoftuar tërheqjen e 25 për qind të policëve nga veriu i vendit. Ky vendim është marrë pas një vlerësimi të përbashkët nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-it. Një reagim ka ardhur edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili u shpreh se zvogëlimi i policisë do të ndodhë gradualisht dhe se kjo vlen vetëm për praninë policorë në, dhe përreth objekteve komunale.

Gjithashtu Kurti theksoi se është zbatuar me përgjegjësi dhe seriozitet marrëveshja e Kosovës dhe BE-së që u arrit në Bratislavë.

Reagimi i plotë:

Nga sot filloi zvogëlimi edhe për 25% të tjera i pranisë së policisë së Kosovës në tri ndërtesat e komunave në veri të vendit tonë. Kjo vjen pas vlerësimit të gjendjes së sigurisë nga mbledhja që pardje mbajtën drejtues të Policisë së Kosovës me EULEX-in dhe KFOR-in. Pra, siguria është e mirë, situata është e qetë, dhe mund ta zvogëlojmë ca praninë e policisë sonë. Sundimi i ligjit dhe rendi publik po mirëmbahen gjithnjë e më shumë e më mirë. Janë bërë rreth një muaj e gjysmë që nuk kemi incidente të theksuara e protesta të dhunshme. Falënderojmë policinë dhe qytetarët pa dallim për bashkëpunimin dhe korrektësinë.

Ashtu qysh kemi thënë para më shumë se dy muajve: 1) nuk do të ketë zvogëlim të përnjëhershëm dhe as të menjëhershëm të pranisë së policisë, por vetëm gradual e proporcional; 2) zvogëlimi vlen për praninë policore në ndërtesat komunale dhe rrethinat e tyre, e jo për veriun e vendit, ku ka ende sfida e punë për sundim të plotë të rendit e ligjit.

Ne po zbatojmë me përgjegjësi dhe seriozitet, sinqeritet dhe kujdes, marrëveshjen e Bratisllavës nga 10 korriku 2023 në funksion të kërkesave të BE-së nga 3 qershori 2023 për de-eskalim. Konstatimi i përbashkët me faktorët ndërkombëtarë për përmirësimin e dukshëm të nivelit të paqes dhe sigurisë në veri dëshmon për de-eskalim të qartë. Njëkohësisht, ne jemi vigjilent për ri-eskalimin potencial që mund të vijë nga deklaratat që nxisin urrejtje dhe agresiviteti politik e shtetëror i fqinjit tonë verior.

Ftojmë qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave të ndryshme, prej atyre që janë pasojë e keqkuptimit, moskuptimit a keqinterpretimit të situatës dhe zhvillimeve e deri tek ato që janë dëshira anti-qeveritare të transmetuara publikisht si lajme faktike. Lufta hibride kundër Republikës së pavarur të Kosovës dhe qeverisë së saj demokratike e progresiste do të dështojë.

tensionet në veri të kosovës albin kurti

Sondazh

Poll