Bota

Kriza në Mal të Zi, sot nisin bisedimet për qeverinë e re

Milatoviç do të bisedojë sot me përfaqësues të Lëvizjes Evropa Tani, Partisë Demokratike të Socialistëve dhe Demokracisë së Re Serbe.

31 Korrik 2023, 08:43 Nga k.m.
Kriza në Mal të Zi, sot nisin bisedimet për qeverinë e re
Jakov Milatoviç

MAL I ZI - Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, sot do të fillojë konsultimet me partitë politike për mandatin e formimit të qeverisë së re malazeze. Në rezidencën e presidentit në Cetinje, Milatoviç do të flasë me përfaqësuesit e Lëvizjes Evropa Tani në orën 9:00, me Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) në orën 12 dhe me përfaqësues të Demokracisë së Re Serbe (Nova) në orën 15:00.

Milatoviç ka thënë më herët se edhe pse ka një afat prej 30 ditësh, pret që konsultimet të përfundojnë më shpejt, pra brenda 15 ditëve të ardhshme.

“Ne duhet të kemi një qeveri të qëndrueshme dhe evropiane sa më shpejt të jetë e mundur. Unë do të bëj pjesën time dhe mendoj se duhet të ketë përgjegjësi dhe seriozitet të mjaftueshëm nga të gjitha anët e spektrit politik,”- tha Milatoviç.

Përfaqësuesit do të shpallin programin e tyre në Kuvend dhe do propozojnë përbërjen e qeverisë. Parlamenti vendos njëkohësisht për programin e mandatit dhe propozimin për përbërjen e qeverisë. Në mbledhjen e re të Kuvendit, Lëvizja Evropa Tani (PES), e udhëhequr nga Milojko Spajić kishte më së shumti deputetë - 24, ndërsa koalicioni Zajedno, ka 21 deputetë. Sipas rezultateve të zgjedhjeve të mbajtura më 11 qershor, Koalicioni për Ardhmërinë e Malit të Zi mori 13 mandate; ndërsa Koalicioni i Demokratëve dhe Lëvizja Qytetare URA kanë nga 11 vende dhe Partia Boshnjake, 6.

Koalicioni i Partisë Popullore Socialiste dhe Demos dhe Forumi Shqiptar kanë nga 2 përfaqësues në parlament dhe Nisma Qytetare Kroate dhe Aleanca Shqiptare kanë nga 1.

Por duhen së paku 41 deputetë që të krijojë shumicën e thjeshtë parlamentare. Kriza e tejzgjatur politike ka lënë në pushtet si kryeministër Dritan Abazoviçin që në parlament zotëron 12 mandate.

Abazoviç u ka kërkuar prokurorëve të hetojnë pretendimet se tregtari i arratisur i kriptomonedhave nga Koreja e Jugut Do Kwon kishte marrëdhënie financiare me Milojko Spajiç të cilit i ka financuar fushatën. Pas akuzave të Abazoviç drejtuar Spajiç ky i fundit ka përjashtuar mundësinë për bisedime me Lëvizjen Ura. Nga sa duket deri tani, pakicat kombëtare do të jenë vendimtare në fatin e krijimit të qeverisë së re malazeze në të kundërt në vjeshtë zgjedhësit mund t`ju drejtohen sërish kutive të votimit.

jakov milatoviç

Sondazh

Poll