Bota

Protestat vazhdojnë, por Netanyahu mbron reformat në drejtësi, shefi i forcave ajrore paralajmëron kërcënim për sigurinë

Duke folur për ABC News, Netanyahu tha se ndryshimi i një prej ligjeve bazë të Izraelit, i cili funksionon si një kushtetutë formale, ishte "një korrigjim i vogël" për një gjykatë "aktiviste".

28 Korrik 2023, 21:06 Nga k.m.
Protestat vazhdojnë, por Netanyahu mbron reformat në drejtësi,
Benjamin Netanyahu

JERUSALEM- Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu është shprehur se vendimi i parlamentit për të shkurtuar kompetencat e Gjykatës së Lartë për të rrëzuar veprimet e qeverisë si pjesë e rishikimit të tij të planifikuar gjyqësor nuk do të dëmtonte demokracinë e Izraelit. Planet e Netanyahut dhe qeverisë së tij kanë nxitur muaj protestash të paprecedenta. Tani në muajin e saj të shtatë, kriza u përshkallëzua të hënën pasi parlamenti miratoi të parin nga ndryshimet, duke shkurtuar kompetencat e Gjykatës së Lartë për të rrëzuar veprimet e qeverisë dhe duke rritur frikën për pavarësinë e gjykatës.

Netanyahu dha disa intervista për mediat amerikane vonë të enjten. Duke folur për ABC News, Netanyahu tha se ndryshimi i një prej ligjeve bazë të Izraelit, i cili funksionon si një kushtetutë formale, ishte "një korrigjim i vogël" për një gjykatë "aktiviste".

"Përshkruhet si fundi i demokracisë izraelite - mendoj se është marrëzi dhe kur "pluhuri" të bjerë, të gjithë do ta shohin,"- tha ai.

Ndërsa Netanyahu minimizoi pasojat e planeve të tij, shefi i forcave ajrore, Tomer Bar, paralajmëroi se kriza mund të shfrytëzohej nga armiqtë e Izraelit.

"Është e mundur që në një kohë si kjo ata do të përpiqen të testojnë kufijtë, kohezionin tonë dhe vigjilencën tonë. Ne duhet të vazhdojmë të jemi vigjilentë dhe të përgatitur, siç jam i sigurt se do të jemi,"- tha Bar në një fjalim para forcave të tij.

Në CNN, Netanyahu refuzoi të thoshte nëse ai do t'i bindej një vendimi të mundshëm të Gjykatës së Lartë që anulon amendamentin e së hënës.

Planet e Netanyahut kanë goditur ekonominë duke tërhequr paralajmërime nga agjencitë e kreditit, duke shkaktuar largimin e investitorëve të huaj. Polemika e vazhdueshme po rrit pasigurinë e brendshme politike dhe do të çojë në një rritje ekonomike më të ulët këtë vit, tha në një raport S&P Global Ratings./Reuters

benjamin netanyahu izrael

Sondazh

Poll