Sport

Sauditët po blejnë më të mirët e Europës. Transferim shokues nga Man.City në ligën saudite: sulmuesi yll largohet për 36 mln...

Ylli i Manchester Cityt, Riyadh Mahrez, i është bashkuar Al Ahlit në Ligën Profesionale të Arabisë Saudite për 36 milionë euro.

23 Korrik 2023, 14:40 Nga DOSJA
Sauditët po blejnë më të mirët e Europës.

ANGLI - Kampionët e Europës nuk ishin të gatshëm të ndaheshin me ndërkombëtarin algjerian jashtë sezonit, por shuma e ofruar nga arabët përkoi me vlerësimin e bërë nga fituesit e titullit të Premier League.

Sipas “The Athletic”, Riyadh Mahrez do t'i nënshtrohet testeve mjekësore të detyrueshme përpara se të nënshkruajë kontratën e tij me Al Ahli deri në verën e vitit 2026, me një opsion për një sezon më shumë.

Algjerianit i është dhënë leja nga klubi britanik që të mos udhëtojë me pjesën tjetër të skuadrës së Manchester City në turneun e tyre parasezonal në Azi, në pritje të përfundimit të lëvizjes së tij të bujshme nga Lindja e Mesme.

Mahrez i bashkohet kështu një vargu të gjatë emrash të famshëm në Premier League, të cilët kanë zgjedhur të marrin rrugën e Arabisë Saudite, të tërhequr nga mirazhi i petrodollarëve.

Yjet si Kalidou Koulibaly, N'Golo Kante, Roberto Firmino apo Ruben Neves, do të luajnë sezonin e ardhshëm në ligën profesioniste të shtetit të pasur arab të Gjirit, ndërsa Jordan Henderson dhe Fabinho, presin rezultatin e negociatave për transferimet e tyre në Arabinë Saudite.

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, tashmë do të duhet të gjejë një zëvendësues të përshtatshëm për Riyad Mahrez dhe emri i parë që qarkullon në shtypin katalanas është ai i brazilianit Raphinha nga Barcelona.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll