Bota

Biseda Mitsotakis-Erdogan, qasje pozitive nga takimi. Kryeministri grek: S'i kemi zgjidhur të gjitha problemet, por një vullnet për t'u afruar

Duket se marrëdhëniet greko-turke po hyjnë në një epokë të re.

12 Korrik 2023, 19:48 Nga k.m.
Biseda Mitsotakis-Erdogan, qasje pozitive nga takimi. Kryeministri grek:
Kyriakos Mistotakis dhe Rexhep Tajip Erdogan

LITUANI- Një kapitull i ri duket se do të hapet në marrëdhëniet greko-turke, pas takimit të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis dhe presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në Vilnius të Lituanisë, atje ku edhe po mbahet Samiti i NATO-s. Vetëm fakti që fakti që pallati "Maximos" dhe presidenca turke kanë dalë me një deklaratë të përbashkët pas përfundimit të takimit, është një ngjarje e paprecedentë. Të dy liderët shpallin në njoftim hapat konkretë në mënyrë që “klima pozitive që është krijuar në marrëdhëniet dypalëshe në muajt e fundit të ketë vazhdimësi dhe konsistencë”, duke rënë dakord që takimi i radhës i Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit Greqi-Turqi do të zhvillohen në vjeshtë në Selanik.

Në të njëjtën kohë, Mitsotakis dhe Erdogan ia besojnë koordinimin e takimit të përbashkët ministrave të jashtëm, atij grek, George Gerapetritis dhe turk, Hakan Fidan. Zgjedhja e personave nuk është e rastësishme pasi të dy ministrat janë persona që kanë besimin absolut të dy liderëve.

Njoftimi i detajuar i presidencës turke

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, u takuan në margjinat e Samitit të NATO-s në Vilnius të Lituanisë, në prani të ministrave të jashtëm të Turqisë dhe Greqisë. Takimi u zhvillua në një atmosferë të mirë. Për këtë qëllim, të dy palët ranë dakord të ndërtojnë momentin pozitiv dhe të aktivizojnë kanale të shumta komunikimi mes dy vendeve në periudhën e ardhshme. Ata ranë dakord që mbledhja e radhës e Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit të mbahet në Selanik në vjeshtë. Përveç kësaj, ata i ngarkuan dy ministrat e Jashtëm të udhëheqin procesin dhe të raportojnë për progresin. Dy liderët theksuan se presin kontakte më të shpeshta në të gjitha nivelet, për të krijuar një klimë besimi dhe kushtet që do të çojnë në përmirësimin e marrëdhënieve Turqi-Greqi.

Pas takimit, në një konferencë për shtyp, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan shprehu optimizmin e tij për blerjen e F-16

"Nuk i kemi përdorur asnjëherë kundër Greqisë dhe as nuk do t'i përdorim,"-tha Erdogan.

Kyriakos Mitsotakis, pasi foli për rreth një orë me presidentin turk u shpreh se: Ne ramë dakord se duhet të ndërtojmë zhvillimet pozitive të muajve të fundit, pas tërmeteve në Turqi dhe pas mbështetjes të dhënë nga qeveria greke dhe shoqëria greke gjatë tërmetit për popullin turk, besoj se shumë gjëra kanë ndryshuar në psikologjinë e marrëdhënies sonë. Takimi ynë i sotëm ripohoi disponimin, si i imi ashtu edhe i Presidentit Erdogan, për një rifillim të ri përsa i përket marrëdhënieve greko-turke, por edhe për një - do të thosha - një kanal, udhërrëfyes më të qartë se si do të ecim në muajt e ardhshëm. Synimi ynë është që të mund të takohemi sërish para fundit të vitit në nivel të Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit, në Selanik, me një axhendë dukshëm pozitive. Kjo nuk do të thotë se problemet e rëndësishme që kemi me Turqinë janë zgjidhur në mënyrë magjike, por mendoj se tregon gatishmërinë e të dyja lidershipeve për t'iu qasur kornizës së marrëdhënieve tona me një perspektivë më pozitive dhe mendoj se përfundimi më i rëndësishëm i takimit të sotëm.

Vitin e kaluar, presidenti turk Tajip Erdogan ndërpreu bisedimet dypalëshe në një mosmarrëveshje mbi shkeljet e hapësirës ajrore dhe pasi akuzoi kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis për presion ndaj Shteteve të Bashkuara për të bllokuar shitjen e avionëve luftarakë F-16 në Turqi. Por mes dy vendeve, marrëdhëniet u përmirësuan kur Greqia u bë një nga vendet e para që dërgoi personal për nxjerrjen e të mbijetuarve nga rrënojat pas një tërmeti shkatërrues që goditi Turqinë.

kyriakos mistotakis rexhep tajip erdogan

Sondazh

Poll