Bota

TRAZIRAT e 29 majit në Veri/ Dy ushtarë të KFOR në gjendje të rëndë, mediat hungareze: Njërit prej tyre iu pre këmba

Misioni i KFOR-it në Kosovë përmes një deklarate drejtuar mediave, konfirmoi se nga përshkallëzimi i protestave në veri më datën 29 maj u plagosën  30 ushtarë, ku 19 prej tyre ishin nga kontigjenti hungarez.

10 Korrik 2023, 11:23 Nga a.l
TRAZIRAT e 29 majit në Veri/ Dy ushtarë të KFOR në gjendje
KFOR

KOSOVË- Mediat hungareze i kanë dhënë zë protestës së dhunshme të 29 majit në Zveçan mes protestuesëve serbë dhe policisë së Kosovës, ku mbetën të plagosur dhjetëra ushtarë të KFOR pas përplasjes së dhunshme me serbët. Mediumi Telex shkruan se dy ushtarë hungarezë janë në gjendje kritike, ndërsa njëri prej tyre ka humbur njërën këmbë si pasojë e protestave të dhunshme.  

Ministria ka thënë se shumica e ushtarëve janë kthyer në shtëpitë e tyre, por gjendja e dy ushtarëve është ende e rëndë dhe ata janë duke u trajtuar në spital.

“Për rikuperimin e tyre, Forcat Hungareze të Mbrojtjes dhe mjekët ushtarakë po bëjnë gjithçka në maksimum. Pavarësisht nivelit të lartë të kujdesit mjekësor, pas një konsultimi paraprak me pacientin, duke marrë parasysh rezultatet e trajtimeve të ofruara që nga lëndimi, një nga rastet e kishte të obligueshme amputimin e një gjymtyre, e cila u krye të premten në Institutin Kombëtar të Rehabilitimit Mjekësor. Operacioni ka shkuar mirë, gjendja e pacientit është stabile”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Misioni i KFOR-it në Kosovë përmes një deklarate drejtuar mediave, konfirmoi se nga përshkallëzimi i protestave në veri më datën 29 maj u plagosën  30 ushtarë, ku 19 prej tyre ishin nga kontigjenti hungarez.

“Numri i paqeruajtësve të plagosur gjatë dhunës  në komunën e Zveçanit është 30. 11 ushtarë nga kontingjenti italian dhe 19 nga kontingjenti hungarez. Ata kanë pësuar lëndime të shumta, duke përfshirë thyerje dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara. Tre ushtarë hungarezë u plagosën nga përdorimi i armëve të zjarrit”, kishte konfirmuar KFOR.

Nga tensionet në veri janë plagosur edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, gazetarë dhe kameraman. Po ashtu, janë dëmtuar edhe vetura zyrtare. Aktualisht, situata në katër komunat veriore, Zveçan, Mitrovicë e veriut, Zubin Potok dhe Leposaviç raportohet të jetë e qetë, ndërkohë KFOR dhe Policia e Kosovës vazhdojnë të kenë trupa të shtuar në këto komuna. 

tensione në veri të kosovës kfor

Sondazh

Poll