Politike

Kërkesa për arrestimin e Ahmetajt, Bardhi: Këshilli i Mandateve të mblidhet sot! SPAK të hetojë dhe Ramën

Deputeti i PD-së i kërkon kryetares së Kuvendit të mbledhë ditën e sotme Këshillin e Mandatave.

10 Korrik 2023, 11:15 Nga A.B

Kërkesa për arrestimin e Ahmetajt, Bardhi: Këshilli i Mandateve

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka reaguar pas kërkesës së SPAK në Kuvendin e Shqipërisë për arrestimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj. Bardhi e cilëson si një veprim të drejtë, mirëpo thekson se është i vonuar e i paplotë. Më tej, ai i sugjeron SPAK që të nisë hetimet edhe për kryeministrin Edi Rama. 

Po ashtu, deputeti i PD-së i kërkon kryetares së Kuvendit të mbledhë ditën e sotme Këshillin e Mandatave.

REAGIMI

Kërkesa për të çuar Arben Ahmetaj para drejtësisë për aferën korruptive të incineratorëve është një veprim i drejtë, por i vonuar dhe i paplotë. SPAK duhet t’i shkojë deri në fund kësaj afere, duke bërë një hetim të plotë dhe të gjithëanshëm deri tek kreu i aferës korruptive, Edi Rama. Së bashku, ata kanë kryer disa nga veprat më monstruoze të korrupsionit qeveritar në 3 dekadat e fundit.

I kërkoj kryetares së Kuvendit të mbledhë pa vonesë sot Këshillin e Mandatave. SPAK-ut i duhet dhënë menjëherë akses për kontrollin personal dhe të banesës së ish zëvendëskryeministrit.

Çfarë ndodhi sot?

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit, SPAK ka dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për arrestimin e ish-ministrit të Financave Arben Ahmetaj. Kërkesa mban datën 7 korrik 2023 dhe është firmosur nga kreu i SPAK, Altin Dumani. SPAK kërkon lejen për të kontrolluar banesën e deputetit apo edhe për të kontrolluar tabulatet e tij telefonike. Që të ekzekutohet kjo kërkesë do duhet që të jepet leja nga Kuvendi, ndërsa pritet edhe mbledhja e Këshillit të Mandateve, që të shqyrtohet kërkesa për heqjen e mandatit të deputetit dhe më pas të kalohet në seancë plenare, nëse Ahmetaj nuk njofton heqjen dorë nga mandati, pasi ligjvënësit janë imunë dhe nuk mund të arrestohen pa lejen e Kuvendit./Dosja.al

arben ahmetaj

Sondazh

Poll