Politike

Ministri i Jashtëm grek zotohet në Parlament: Do bëjmë gjithçka për lirimin e Belerit, Shqipëria të respektojë rregullat nëse e do BE-në

Ai ka kushtëzuar rrugën e Shqipërisë në BE me lirimin e Belerit, kur tha se Shqipëria duhet të respektojë shtetin e së drejtës nëse dëshiron vërtet të bëhet pjesë e familjes evropiane.

9 Korrik 2023, 15:02 Nga m.s
Ministri i Jashtëm grek zotohet në Parlament: Do bëjmë
Georgios Gerapetritis

GREQI- Ministri i Jashtëm i Greqisë, Georgios Gerapetritis, në fjalimin e tij në Parlament ka risjellë në skenë çështjen e Fredi Belerit, kryebashkiakut të Himarës, i arrestuar për shit-blerje votash. Ai ka kushtëzuar rrugën e Shqipërisë në BE me lirimin e Belerit, kur tha se Shqipëria duhet të respektojë shtetin e së drejtës nëse dëshiron vërtet të bëhet pjesë e familjes evropiane. Duke vendosur pika mbi “i”, ai theksoi se do të bëjnë gjithçka për lirimin e Belerit.

Po kështu ka paraqitur aspektet e politikës së jashtme të vendit në katër vitet e ardhshme. Sa i përket vendeve të Ballkanit Perëndimor, Georgios Gerapetritis ka thënë se ka shumë sfida përpara dhe se rreziqet që ekzistojnë janë të shumëfishta, ndërkohë që nacionalizmat ndikojnë në sigurinë e rajonit dhe minojnë perspektivën evropiane të këtyre vendeve.

“Greqia mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit, sigurisë dhe prosperitetit të Ballkanit Perëndimor dhe 20 vjet pas Samitit të Selanikut, do të vazhdojë të ndërmarrë iniciativa për të përshpejtuar rrugën evropiane të vendeve ballkanike. Sidomos në lidhje me Shqipërinë, do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për t’i dhënë fund ndalimit të përkohshëm të kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleris. Shqipëria duhet të respektojë rregullat e shtetit ligjor, nëse dëshiron vërtet të bëhet anëtare e familjes europiane”.

Ministri i ri i Jashtëm, është shprehur se politika e Jashtme greke do të jetë një politikë multimodale. Nga njëra anë do të përfshijë të gjitha format moderne të diplomacisë, sikundër do të përdorë çdo mjet që mund të nxjerrë në pah pozitat kombëtare.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën, duke shpresuar për një fund të shpejtë të konfliktit të armatosur dhe rivendosjen e plotë të integritetit të saj territorial. Greqia do të vazhdojë të mbështesë Republikën e Qipros me synimin për të gjetur një zgjidhje për problemin e saj bazuar në rezolutat e Kombeve të Bashkuara. Gjithashtu do të vazhdojmë të investojmë në bashkëpunimin rajonal në Mesdheun Lindor me Qipron dhe Izraelin, me theks në sektorin e energjisë, si boshti qendror i politikës sonë rajonale, por edhe në marrëdhëniet me Egjiptin, Jordaninë dhe vendet e Gjirit, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, si në planin dypalësh, ashtu edhe përmes skemave të bashkëpunimit rajonal. Pjesëmarrja e SHBA në skemën 3+1 mund të jetë baza për një arkitekturë të re sigurie në Mesdheun Lindor", ka thënë kreu i diplomacisë greke.

“Për marrëdhëniet tona me Turqinë, busull mbetet respektimi i së drejtës ndërkombëtare dhe disponimi praktik i bashkëpunimit dhe dialogut. Vendi ynë kërkon të zgjidhë, në bazë të së Drejtës Ndërkombëtare të Detit, dallimin e vetëm mes dy vendeve tona, përcaktimin e ZEE dhe shelfit kontinental, pikërisht sipas modelit të marrëveshjeve që kemi bërë tashmë me Italinë, Egjiptin dhe shpresojmë së shpejti dhe me Shqipërinë. Shtyrja e vazhdueshme e këtyre çështjeve në të ardhmen, nuk funksionon në të mirë të asnjërit vend. Ne do t’i qasemi këtij dialogu me besimin që na jep pozita jonë e forcuar diplomatike në mjedisin ndërkombëtar".

georgios gerapetritis greqi fredi beleri

Sondazh

Poll