Politike

Burgimi i Belerit, Ministria e Jashtme i përgjigjet Greqisë: Deklaratë e pavend, prisni drejtësinë të bëjë punën e saj

Në njoftimin për media, Ministria e ka quajtur deklaratën e zëdhënësit grek të pavend dhe injorojnë realitetin demokratik në Shqipëri.

7 Korrik 2023, 16:19 Nga I.A
Burgimi i Belerit, Ministria e Jashtme i përgjigjet Greqisë:
Ministria e Jashtme

TIRANË- Ministria e Jashtme ka reaguar pas deklaratës së zëdhënësit të Qeverisë Greke në lidhje me burgosjen e Fredi Belerit. Në njoftimin për media, Ministria e ka quajtur deklaratën e zëdhënësit grek të pavend dhe injorojnë realitetin demokratik në Shqipëri. Po ashtu ajo i ka bërë thirrje Greqisë që të presin drejtëinë në Shqipëri të bëjë punën e saj. 

Njoftimi i Ministrisë:

Kemi ndjekur me keqardhje deklaratën e zëdhënësit të Qeverisë Greke lidhur me rastin Beleri. Sic e kemi deklaruar në vijimësi, publikisht por edhe gjatë komunikimeve që kemi pasur me kolegët tanë grekë, deklarata të tilla janë të pavend dhe injorojnë realitetin demokratik dhe të sundimit të ligjit ne Shqipëri. Qeveria e Shqiperisë as nuk burgos, as nuk paraburgos kënd, sepse Shqipëria është një vend demokratik ku sundon parimi i ndarjes së pushteteve.

Theksojmë me këtë rast se shtetasi shqiptar me kombësi greke Fredi Beleri është subjekt i Prokurorisë  dhe Gjykatës Speciale kundër Krimit të Organizuar e Korrupsionit, struktura të krijuara nga Reforma në Drejtësi, e cila është fryt i bashkëpunimit strategjik me SHBA dhe BE. Qeveria Shqiptare nuk komenton veprimet dhe vendimet e këtyre strukturave. Ky parim vlen në rastin e z. Beleri ashtu si edhe në rastin e çdo qytetari tjetër shqiptar, në Shqipëri aq sa edhe në Greqi apo cilindo vend demokrarik në Europë e botë, prandaj e ftojmë Qeverinë e Greqisë të bëjë të njëjtën gjë dhe të presë, ashtu si ne, që drejtësia të bëjë punën e saj.

Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi u arrestuan 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 Majit, pas një hetimi të nisur nga Prokuroria e Vlorës në datën 8 Maj me dyshimet se shtabi elektoral i kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” po shpërndante para në këmbim të votave. Beleri ka mohuar akuzat dhe e ka konsideruar hetimin ndaj tij sulm politik. Për arrestimin e tij ka reaguar disa herë Athina zyrtare./Dosja.al

fredi beleri ministria e jashtme

Sondazh

Poll