Politike

Taksa e pasurisë, Ibrahimaj: Vlera do të përcaktohet nga çmimi i tregut dhe jo nga harta e referencës

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në një takim me pedagogë dhe studentë të fakultetit Ekonomik në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ka propozuar që të ketë një tjetër mënyrë taksimi për pronën.

23 Qershor 2023, 19:25 Nga m.s
Taksa e pasurisë, Ibrahimaj: Vlera do të përcaktohet nga
Delina Ibrahimaj

TIRANË- Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në një takim me pedagogë dhe studentë të fakultetit Ekonomik në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ka propozuar që të ketë një tjetër mënyrë taksimi për pronën. Lidhur me strategjinë e taksës së pasurisë, Ibrahimaj tha se duhet të ketë një taksim në bazë të çmimeve të tregut dhe jo më nga harta e referencës. Ministrja shpjegoi se duhet që taksa të jetë e drejtë, efektive dhe transparente, por mbi të gjitha duhet të jetë e thjeshtë. Po kështu, duke qenë se është një taksë që prek të gjithë popullatën, të perceptohet thjeshtë.

“Propozojmë të kalojmë nga një taksim në bazë të çmimeve të referencës, në një taksim i cili merr parasysh çmimet e tregut, që në fakt është praktika ndërkombëtare. Nga ana tjetër, duhet patjetër që taksa të jetë e drejtë, efektive dhe transparente, por mbi të gjitha duhet të jetë e thjeshtë. Duke qenë se është një taksë që prek të gjithë popullatën e vendit, duhet që të kuptohet thjesht nga popullata, të perceptohet thjeshtë, të mblidhet thjeshtë dhe kjo është arsyeja pse ne duam të diskutojmë me detaje çdo element të taksës, pra nga niveli, tek mbledhja, te komunikimi”, u shpreh ajo.

Ibrahimaj theksoi se të ardhurat nga mbledhja e taksës së pasurisë dhe taksës së pronës në Shqipëri përbëjnë rreth 0.3 % ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas saj, kjo është një normë shumë e ulët.

“Mesatarja e vendeve të rajonit, por edhe mesatarja e vendeve, sipas kategorive të të ardhurave, është më e lartë se sa ajo që mbledhim ne. Vendet e rajonit kanë një mesatare rreth 0.8 % të GDP, ndërkohë që ne jemi në nivelin 0.3 % të GDP, ndërsa përgjithësisht vendet e OECD e kanë 1.1 % të GDP, vendet e zhvilluara si SHBA, Kanada dhe Anglia shkojnë nga 2.5 në 3 %. Pra, dukshëm dhe qartazi ne kemi një nivel shumë të ulët dhe taksimi dhe mbledhje”, u shpreh Ibrahimaj.

“Për sa i përket taksës që supozohet që të jetë taksë për sektorin bujqësor, për tokat bujqësore apo pyjore, ka disa lehtësi që lidhen me vitet e para të prodhimit, në mënyrë që ne të bëjmë të mundur që të nxisim mbjelljen, të nxisim prodhimin, të nxisim shfrytëzimin e pronës”, theksoi ministrja.

delina ibrahimaj

Sondazh

Poll