Aktualitet

Harta e re gjyqësore krijon probleme me Apelin e Përgjithshëm/ Llagami: Godina aktuale s’ka kushte për të pritur 78 gjyqtarë

Nauerda Llagami ka pranuar se po hasin vështirësi në zbatimin e hartës së re gjyqësore, pasi kanë mungesa të zyrave për gjyqtarët dhe sallave për të zhvilluar seancat.

23 Qershor 2023, 15:24 Nga m.s
Harta e re gjyqësore krijon probleme me Apelin e Përgjithshëm/
Nauerda Llagami

TIRANË- Harta e re gjyqësore krijon probleme me Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Nauerda Llagami, ka thënë se godina nuk ka kushte për të pritur 78 gjyqtarë. Llagami ka pranuar se po hasin vështirësi në zbatimin e hartës së re gjyqësore, pasi kanë mungesa të zyrave për gjyqtarët dhe sallave për të zhvilluar seancat.

“Nuk është shtyrë asnjë seancë gjyqësore për shkak të mosmarrjes së masave. Seancat kanë vijuar në mënyrë të rregullt. Tashmë, sfida tjetër e ardhshme është zbatimi i fazës së tretë që prek gjykatat administrative. Ne kemi bërë të mundur që t’i marrim masat në avancë. Në këto 4-5 muaj të zbatimit të hartës, nuk kemi pasur problematika të dosjeve, të zvarritjes së gjykimit”, deklaroi Llagami.

Llagami ka thënë më tej se po pret përgjigjen e qeverisë për një godinë të re, por nuk jep zgjidhje se si do të veprohet nëse ekzekutivi vonon për të marrë një vendim.

“Problematika që KLGJ ka është Gjykata e Apelit të Përgjithshëm sepse është një gjykatë që do të ketë një numër gjyqtarësh – 78 dhe gjykata aktuale, godina aktuale nuk i ka kushtet për t’i pritur ato gjyqtarë, por të pritur ato që ka edhe pak më shumë. Kemi bërë kërkesa së bashku me Prokurorinë e Përgjithshme, kemi bërë kërkesë Bashkisë së Tiranës, për të na vënë në dispozicion një truall ose një godinë ndoshta për Gjykatën e Apelit të Përgjithshëm. Shpresojmë që nga ana e ekzekutivit të kemi një përgjigje pozitive”, u shpreh ajo.

Ajo shtoi më tej se dy sfidat e radhës janë zbatimi i fazës së tretë të kësaj harte, ku nga gjashtë gjykata administrative do të reduktohen në dy, një në Tiranë dhe një në Lushnje, si dhe ulja e numrit të dosjeve që kanë mbetur stop prej vitesh, e presin radhë për tu gjykuar.

harta e re gjyqesore naureta llagami

Sondazh

Poll