Aktualitet

Videoskandali i Safet Gjicit, mblidhet Këshilli Bashkiak! Këshilltari i ‘BF’: Po keni burrëri, japim të gjithë dorëheqjen! Zgjidhet kryetari i përkohshëm

Kryetari i Këshillit bashkiak të Kukësit, Albert Muja e nisi fjalën e tij me një ndjesë ndaj të gjithë kuksianëve për video-skandalin seksual në zyrë të kryebashkiakut të shkarkuar Safet Gjici.

23 Qershor 2023, 12:13 Nga k.m.
Videoskandali i Safet Gjicit, mblidhet Këshilli Bashkiak! Këshilltari
Safet Gjici

KUKËS- Një mbledhje jo e zakonshme është mbajtur në Këshillin Bashkiak të Kukësit, por pa kryetarin. Pas publikimit të skandalit seksual, Safet Gjici ka dhënë dorëheqjen dhe në vend të tij u caktua si kryetar i përkohshëm, nënkryetari i Bashkisë Kukës, Granit Gjana. Por po ashtu i pranishëm ishte dhe i dërguari politik i Partisë Socialiste për qarkun e Kukësit, Pandeli Majko. 

Kryetari i Këshillit bashkiak të Kukësit, Albert Muja e nisi fjalën e tij me një ndjesë ndaj të gjithë kuksianëve për video-skandalin seksual në zyrë të kryebashkiakut të shkarkuar Safet Gjici.

“Ngjarja është shumë e rëndë. Kjo që ndodhi është një kujtesë publike se ne jemi zgjedhur prej komunitetit të Kukësit për ti shërbyer interesave të tyre. Me aktin e dorëheqjes sot politikës këtu në Kukës i ka ngelur pak për të thënë. Një ngjarje që Kukësi dhe kuksianët nuk e meritonin. Ka nisur një proces nga drejtësia dhe le të thotë ajo fjalën e saj,”- deklaroi Muja.

I vetmi që nuk pranoi ndjesën e kreu të këshillit, ishte Fasli Gërmizi, këshilltar i koalicionit “Bashkë Fitojmë” që u kërkoi kolegëve të japin të gjithë dorëheqjen, e bashkë me zgjedhjet për kryetarin e ri, të mbahen edhe ato për këshillin.

“Në vend të ketë kryetar ju keni pasha, për fat të keq jemi mbi vendin e krimit, ku sot duhet të ishte opozita, të bëhemi bashkë dhe ta quajmë vend krimi atë, dhe ky objekt, nëse ka pak burrni këtu do zhbëhej secili do dorëhiqej do kërkonte dorëheqjen, të fillonim nga fillimi bashkë me zgjedhjet për kryetar,”- tha ai.

Ndaj dhe aktualisht detyrën e kreut të bashkisë e mori për ta ushtruar përkohësisht, e mori nënkryetari Granit Gjana.

Në mbledhje, në heshtje pa mbajtur asnjë fjalë mbeti edhe deputeti socialist Pandeli Majko, i cili nuk la asnjë shenjë për emrin e ri që do të garojë me logon e PS-së në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Disa ditë më parë (16 Qershor 2023) u publikua një video-skandal ku shfaqej Safet Gjici duke kryer marrëdhënie seksuale në zyrë, në Bashkinë e Kukësit. Përmes një shënimi në llogarinë në Facebook, ai njoftoi dorëheqjen dhe foli për kurth nga kundërshtarët. Ai fajësoi vajzën në video, për të cilën tha se e kishte të dashur prej kohësh. Përveçse pretendoi se i kanë bërë kurth, ai tha se kishte tradhëtuar besimin e qytetarëve të Kukësit që e kishin votuar për mandatin e tij të dytë në krye të Bashkisë. Me shkarkimin e tij nga posti i kryebashkiakut, pritet që edhe në Kukës të zhvillohen zgjedhje të reja. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ende s'ka reaguar për skandalin në fjalë.

albert muja safet gjici videoja e safet gjicit

Sondazh

Poll