Bota

Katër orë takim me Kurtin dhe Vuçiç-in/ Borrell: Zgjedhjet e reja në veri të domosdoshme!

I vetmi pajtim që është arritur, sipas Borrell, janë zgjedhjet e parakohshme në 4 komunat veriore, por nuk ka dhënë detaje si do të organizohen dhe kur do të mbahen. 

22 Qershor 2023, 20:43 Nga a.l
Katër orë takim me Kurtin dhe Vuçiç-in/ Borrell:
Josep Borrell

BRUKSEL- Pas takimeve me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandër Vuçiç, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka dalë në një konferencë për media në një përpjekje për t’i dhënë fund tensioneve në veri të vendit. I vetmi pajtim që është arritur, sipas Borrell, janë zgjedhjet e parakohshme në 4 komunat veriore, por nuk ka dhënë detaje si do të organizohen dhe kur do të mbahen. 

“Për të bërë përpjekje për të ecur përapra, kam nxjerrë në tryezë propozime konkrete dhe në këtë kontekst jemi pajtuar për nevojë për zgjedhjet e reja dhe kemi diskutuar për modalitetet dhe hapat për të arritur atje. Ende nuk kemi arritur atje”, ka theksuar ai.

Borrell ka thënë se para palëve ka bërë propozime konkrete, që kanë të bëjnë me tërheqjen e forcave speciale policore të Kosovës nga afërsia e 4 objekteve komunale, tërheqjen e kryetarëve nga objektet komunale si dhe frenimin e protestuesve serbë nga dhuna.

“Kemi shpenzuar më shumë se 4 orë së pari me Kurtin dhe më pastaj me Vuçiçin, për ta gjetur një zgjidhje. Kemi prezantuar para palëve pritjet tona. Nga Kosova kemi kërkuar suspendimin e aktiviteteve policore nga objektet komunale dhe kryerjen e detyrave të 4 kryetarëve nga lokacione alternativë dhe nga Serbia që të tërheqë protestuesit”, ka thënë Borrell.

Borrell i ka konsideruar urgjente zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në Veri. Ai tha se pas qetësimit të situatës, duhet të vazhdojë dialogu i BE-së si dhe të implementohen marrëveshjet e arritura, ku parashihet edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

“Zgjedhjet e reja, zgjedhjet e hershme, aq më shpejt që është e mundur. E pastaj, pasi të qetësohet situata, të vazhdohet dialogu i propozuar nga BE. Duhet të kthehemi të impelementimi i marrëveshjeve që janë arritur së fundmi dhe pa vonesa të nisë themelimi i Asociacionit të Komunave serbe. Të bëhemi të qartë, nuk mund të ketë falje për dhunën në protesta, por kjo gjë duhet t’i lihet gjyqësorit”, ka shtuar Borrell.  

Po ashtu, Borrell, ka thënë se të hënën bashkë me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do t’iu raportojnë ministrave lidhur me takimet. Borrell ka kërkuar që të shtensionohet situata, duke thënë se Kurti dhe Vuçiç janë të vetëdijshëm për këtë, por kanë qëndrime të kundërta.

tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll