Aktualitet

Kishte mashtruar disa persona duke i premtuar se mund t’i parashikonte të ardhmen, arrestohet 43-vjeçarja e dënuar me 2 vite burg

Muhaxhiri mashtronte qytetarë të shumtë duke pretenduar se parashikonte të ardhmen dhe për këtë ishte dënuar me 2 vite heqje lirie nga Gjykata e Apelit të Tiranës.

22 Qershor 2023, 09:17 Nga k.m.
Kishte mashtruar disa persona duke i premtuar se mund t’i parashikonte
Foto ilustruese

KRUJË- Një 43-vjeçare, e shpallur në kërkim për mashtrim, është vënë në prangat e Policisë së Krujës. Blutë njoftojnë se është bërë i mundur ndalimi i Elena Muhaxhirit, 43 vjeçe, banuese në Fushë Krujë. Muhaxhiri mashtronte qytetarë të shumtë duke pretenduar se parashikonte të ardhmen dhe për këtë ishte dënuar me 2 vite heqje lirie nga Gjykata e Apelit të Tiranës.

NJOFTIMI I PLOTË:

Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Finalizohet nga Komisariati i Policisë Krujë, operacioni policor i koduar “Streha”. Vihet në pranga një shtetase që ishte shpallur në kërkim pasi ka përfituar para dhe sende me vlerë nga shtetas të ndryshëm, duke i mashtruar se mund t’i parashikonte të ardhmen. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetaseje të shpallur në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Streha”. Si rezultat i këtij operacioni, në Fushë Krujë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetases në kërkim Elena Muhaxhiri, 43 vjeçe, banuese në Fushë Krujë. Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar këtë shtetase, me 2 vjet burgim, për veprën penale “Mashtrimi”, pasi ka përfituar para dhe sende me vlerë nga shtetas të ndryshëm, duke i premtuar se mund t’i parashikonte të ardhmen. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

elena muhaxhiri

Sondazh

Poll