Bota

Kreu i OKB-së: Jam i zhgënjyer me mënyrën se si po zbatohet marrëveshja e grurit

Ritmi më i ngadalshëm i inspektimeve të anijeve do të thotë se më pak po arrijnë dhe nisen nga portet ukrainase në Detin e Zi dhe për pasojë sasi më të vogla po arrijnë atje ku duhet të shkojnë

21 Qershor 2023, 09:48 Nga I.A
Kreu i OKB-së: Jam i zhgënjyer me mënyrën se si po zbatohet
Antonio Guterres

SHBA- Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres ka deklaruar se është i zhgënjyer me mënyrën se si po zbatohet marrëveshja Rusi-Ukrainë për eksportet e grurit. Ritmi më i ngadalshëm i inspektimeve të anijeve do të thotë se më pak po arrijnë dhe nisen nga portet ukrainase në Detin e Zi dhe për pasojë sasi më të vogla po arrijnë atje ku duhet të shkojnë

Eksportet ranë me tre të katërtat në maj krahasuar me nivelin e tetorit 2022, nga 4.2 tonë metrikë në 1.3 milionë tonë metrikë. Ky është niveli më i ulët që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes. Guterres u bëri thirrje të gjitha palëve që të përshpejtojnë zbatimin e marrëveshjes dhe të bëjnë gjithçka brenda fuqisë së tyre për të garantuar që ajo të mbetet në fuqi.

Marrëveshja u ndërmjetësua nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia verën e kaluar, duke hequr bllokadën disamujore të porteve të Detit të Zi ukrainas nga Marina ruse. Si rezultat, Ukraina dhe Rusia, dy nga eksportuesit kryesorë të drithërave në shkallë globale, rifilluan eksportet e tyre, ndonëse në një shkallë më të kufizuar, duke parandaluar krizat në vende të ndryshme të botës, veçanërisht në Afrikë.

Por Moska po kërkon një lehtësim të sanksioneve që bllokojnë eksportet e saj bujqësore (drithëra dhe plehra), për të cilat thotë se nuk po përparon dhe po kërcënon të përfundojë marrëveshjen, e cila zyrtarisht skadon më 17 korrik. Javën e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin kërcënoi përsëri se Moska do të tërhiqej nga marrëveshja.

Teksti parashikonte edhe eksportet e amoniakut, por këto nuk vazhduan. Rusia dërgonte 2.5 milion ton amoniak në vit për eksport në portin ukrainas të Pyvdevni me tubacion, por kjo infrastrukturë u mbyll pasi pushtoi territorin ukrainas në shkurt 2022 dhe Moska akuzon ushtrinë e Kievit për hedhjen në erë të pjesëve të tij. Pala ruse kërkoi ndër të tjera riparimin e këtij gazsjellësi dhe muajin e kaluar e përjashtoi këtë port nga marrëveshja.

antonio guterres lufta ukraine-rusi

Sondazh

Poll