Aktualitet

“Kap ça të kapësh”, reagojnë gjyqtarët ndaj Ramës: Po minon besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë (APELI)

10 Tetor 2019, 10:34 Nga DOSJA
“Kap ça të kapësh”, reagojnë gjyqtarët

Tiranë- Një ditë më parë nga foltorja e Kuvendit kryeministri Edi Rama kërkoi që të shpallen në kërkim me ligj nga parlamenti një grup prokurorësh dhe gjyqtarësh, që sipas tij janë pjesë e një grupi “Kap ça të kapësh (KCK)”.

Për këtë deklaratë të Ramës ka reaguar edhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dhe Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë.

Në reagimin e tyre thuhet se qëndrime të tilla të përsëritura nga funksionarë të ekzekutivit, jo vetëm që nuk i shërbejnë raporteve ndërinstitucionale por janë një kërcënim ndaj pavarësisë së pushtetit gjyqësor, duke minuar ndërkaq besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Reagimi: 

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë përcjellin me shqetësim qëndrimet e ditëve të fundit nga përfaqësues të lartë të politikës ndaj gjyqtarëve. Shoqatat e gjyqtarëve kanë mirëpritur çdo adresim të problematikave që lidhen më gjyqësorin në forumet e duhura, sikurse kanë dënuar çdo veprim apo mosveprim të kryer nga gjyqtarë të caktuar në shkelje të misionit të tyre, duke zgjedhur për këtë rrugën e përcaktuar nga Kushtetua dhe ligjet në Republikën e Shqipërisë.

Qëndrime të tilla të përsëritura nga funksionarë të ekzekutivit, jo vetëm që nuk i shërbejnë raporteve ndërinstitucionale por janë një kërcënim ndaj pavarësisë së pushtetit gjyqësor, duke minuar ndërkaq besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Parimi i ndarjes së pushteteve qëndron në themel të demokracisë sonë kushtetuese dhe presupozon që asnjë pushtet nuk është epror ndaj tjetrit. Shoqatat tona janë të hapura për individualizimin e çdo shkeljeje ligjore në veprimtarinë e gjyqtarëve apo problematikave në tërësi në sistemin e drejtësisë dhe kanalizimin e tyre në institucionet përkatëse, në formën e sanksionuar nga legjislacioni në fuqi. Organizmat përfaqësuese të gjyqtarëve, që në fillimet e procesit të reformës në sistemin e drejtësisë kanë shprehur mbështetjen e tyre të pakursyer për këtë reformë, duke kontribuar në mënyrë aktive, me qëllim arritjen e një produkti sa më cilësor. Ndërsa qëndrimet agresive e të adresuara gabim, në kohën e zbatimit të një reforme kaq të thellë për sistemin, sjellin pasoja të dëmshme për reformën. Së fundi, Shoqata Kombëtare dhe Unioni i Gjyqtarëve dëshirojnë të ftojnë Këshillin e Lartë Gjyqësor, si institucioni i ngarkuar me garantimin e pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së pushtetit gjyqësor si dhe miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë kontribuar në mënyrë të palodhur për konceptimin dhe vënien në jetë të reformës në drejtësi, për të mbajtur qëndrimin e tyre në lidhje me sjelljet shfaqura kohët e fundit”, thuhet në reagimin e tyre.

Dje Edi Rama foli  për një ligj Special për Prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar që ende s’kanë dalë para Vettingut, po marrin vendime në kundërshtim me ligjin. Rama tha se ata janë një organizatë kriminale që funksionon në bazë të parimit “Kap ca të kapësh”, andaj duhen shpallur në kërkim.

J.V/Dosja.al 

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

aktualitet aktualitet edi rama ligji special per kck reagojnë gjyqtarët ndaj ramës edi rama ligji special per kck reagojnë gjyqtarët ndaj ramës

Sondazh

Poll