Bota

Fitoi dy mandate në zgjedhjet e Malit të Zi/ Gjeloshaj: Për ne ky është një rezultat i madh, do punojmë për të mirën e shqiptarëve!

Nik Gjeloshaj, kryetari i Komunës së Tuzit, njëherësh edhe kryetari i partisë “Forumi Shqiptar” në Mal të Zi, ka deklaruar se koalicioni i tij do të vazhdojë të punojë, për të mirën e të gjithë qytetarëve të Malit të Zi e veçanërisht shqiptarëve.

11 Qershor 2023, 22:30 Nga m.s
Fitoi dy mandate në zgjedhjet e Malit të Zi/ Gjeloshaj: Për ne ky
Nik Gjeloshaj

MAL I ZI- Nik Gjeloshaj, kryetari i Komunës së Tuzit, njëherësh edhe kryetari i partisë “Forumi Shqiptar” në Mal të Zi, ka deklaruar se koalicioni i tij do të vazhdojë të punojë, për të mirën e të gjithë qytetarëve të Malit të Zi e veçanërisht shqiptarëve. Në një intervistë për televizionin e Malit të Zi, ai tha se kanë fituar 2.1 për qind të votave, dhe se ky është një rezultat i madh në zgjedhje.

“I falënderoj të gjithë, veçanërisht ata që mbështetën Forumin Shqiptar. Forumi Shqiptar do të vazhdojë të punojë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Malit të Zi, veçanërisht të shqiptarëve. Shpresoj se do të kemi një qeveri të qëndrueshme që do të punojë për të mirën e të gjithë qytetarëve”, tha Gjeloshaj. Ai ka uruar edhe listën tjetër shqiptare që ka fituar një mandat.

“Për ne ky është një rezultat i madh, dy mandate të fituara. Pas pushtetit absolut në Tuzi, sot kemi marrë mbështetje edhe në komunat e tjera”, deklaroi ai.

Mali i Zi mbajti sot zgjedhjet e parakohshme parlamentare, rezultatet e të cilave, pritet ti japë fund ndarjeve të thella politike dhe viteve të paqëndrueshmërisë që e kanë penguar vendin e vogël anëtar të NATO-s, në rrugën e tij për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian. Të drejtën për të votuar për të zgjedhur 81 deputetët e parlamentit malazez e patën 542.468 qytetarë, ndërsa qendrat e votimit të cilat u hapën në orën 07:00 u mbyllën në orën 19:00 dhe rezultatet paraprake kanë dalë në orën 21:00.

Rezultatet e para në Mal të Zi! Ja si renditen partitë shqiptare

Lëvizja 'Evropa Tani' fitoi 25.5 përqind të votave, sipas të dhënave paraprake nga Qendra për Tranzicionin Demokratik (CDT), bazuar në 88.3 përqind të kampionit të përpunuar. Koalicioni "Së bashku" (DPS-SD-LP-DUA) fitoi 22.8 përqind, "Për të ardhmen e Malit të Zi" (NSD-DNP) 15 përqind, koalicioni "Hrabro se Broji" (Demokratët-URA) 12.9 përqind.

Partia Boshnjake ka 7.8 përqind, Partia Socialdemokrate (SDP) 3.1 përqind. Poshtë regjistrimit janë aktualisht PKSH dhe Demos me 2.8 përqind, Pravda za sve me 2.6, Përmbysja me 1.5 përqind dhe Koalicioni Popullor (DHP, Prava, Slobodna) me 1.1 përqind. Forumi Shqiptar ka dy përqind, Aleanca Shqiptare 1.6 përqind, Lëvizja për Ndryshim 0.6, Nisma Qytetare Kroate 0.7 përqind dhe Ne Mund 0.5 përqind.

nik gjeloshaj mali i zi zgjedhjet

Sondazh

Poll