Bota

Numërimi në Malin e Zi/ Partia 'Evropa Tani' shpall fitoren në zgjedhje me 25.5% të votave

Malazezët shpresojnë se administrata e re do të përmirësojë ekonominë dhe infrastrukturën e vendit, dhe do ta çojë vendin anëtar të NATO-s më pranë anëtarësimit në BE.

11 Qershor 2023, 22:11 Nga m.s
Numërimi në Malin e Zi/ Partia 'Evropa Tani' shpall fitoren
zgjedhjet ne Malin e Zi

MALI I ZI- Lëvizja Evropa Tani e Malit të Zi (PES) fitoi 25.5% të votave në zgjedhjet e parakohshme të dielën, tha anketuesi i Qendrës për Monitorim dhe Kërkim (CEMI) në bazë të një projeksioni të rezultateve nga një kampion qendrash votimi.  Partia Pro-Evropiane Demokratike e Socialistëve (DPS), e cila sundoi Malin e Zi midis 1990 dhe 2020, doli e dyta me 23.8% të mbështetjes, raporton "France 24".

Aleanca konservatore Për të Ardhmen e Malit të Zi, e udhëhequr nga Fronti Demokratik pro- serb dhe pro-rus, mblodhi 14.7%. Një grup tjetër pro- BE që përfshin Partinë Demokratike dhe lëvizjen URA të kryeministrit në largim Dritan Abazovic doli në vendin e katërt me 12.3%, tha CEMI në bazë të 90.5% të votave të numëruara në një kampion përfaqësues prej 400 qendrash votimi në të gjithë vendin.

Komisioni shtetëror zgjedhor pritet të shpallë rezultatet përfundimtare në ditët në vijim. 15 parti dhe aleanca po konkurrojnë për 81 vende parlamentare në vendin me pak më shumë se 620,000 banorë.

PES, e cila ka politika pro Bashkimit Evropian dhe gjithashtu dëshiron lidhje më të ngushta me Serbinë fqinje, nuk arriti të sigurojë vota të mjaftueshme për të qeverisur e vetme, dhe do të duhet të kërkojë partnerë në parlamentin prej 81 vendesh për të formuar qeverinë.

Malazezët shpresojnë se administrata e re do të përmirësojë ekonominë dhe infrastrukturën e vendit, dhe do ta çojë vendin anëtar të NATO-s më pranë anëtarësimit në BE.

Votimi ishte i pari në ish-republikën jugosllave që kur Milo Gjukanoviç, ish-udhëheqësi i DPS-së, humbi zgjedhjet presidenciale në prill dhe dha dorëheqjen pas 30 vjetësh në pushtet. Sipas CEMI, pjesëmarrja e votuesve deri në mbylljen e qendrave të votimit në orën 20:00 ishte jashtëzakonisht e ulët, në 56.4%. Vëzhguesit thanë se kishte pak parregullsi.

Votimi pritet t'i japë fund një bllokimi politik, në të cilën dy qeveritë që erdhën në pushtet pas protestave të vitit 2020 të mbështetura nga Kisha Ortodokse Serbe me ndikim, u shembën pas votimit të mosbesimit.

Mali i Zi u bashkua me NATO-n në vitin 2017, një vit pas një përpjekje të dështuar për grusht shteti, për të cilin qeveria fajësoi agjentët rusë dhe nacionalistët serbë. Moska i hodhi poshtë pretendimet e tilla si "absurde" dhe qeveria serbe mohoi përfshirjen.

Pas pushtimit rus të Ukrainës vitin e kaluar, Mali i Zi, ndryshe nga Serbia, iu bashkua sanksioneve të BE-së kundër Moskës, dërgoi ndihmë në Ukrainë dhe dëboi një numër diplomatësh rusë. Kremlini e ka vendosur Malin e Zi në listën e shteteve jo miqësore.

mali i zi evropa tani zgjedhjet

Sondazh

Poll