Politike

Berisha: Do kërkojmë sërish hetim parlamentar për aferën McGonigal pasi ka zhvillime dramatike

Po ashtu u shpreh se ata do të bëjnë gjithçka për të dhënë kontributin në hetimin e të gjithë personave lidhur me këtë çështje.  

9 Qershor 2023, 12:41 Nga I.A
Berisha: Do kërkojmë sërish hetim parlamentar për
Sali Berisha

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka deklaruar sot se opozita do të kërkojë sërish ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për aferën e Charles McGonigal. Gjatë një konference për mediat, Berisha u shpreh se kjo aferë ka zhvillime tejet dramatike. Po ashtu u shpreh se ata do të bëjnë gjithçka për të dhënë kontributin në hetimin e të gjithë personave lidhur me këtë çështje.  

"Dua t’u informoj se përveç komisionit për hetimin e zgjedhjeve parlamentare, ne do riformulojmë dhe dorëzojmë në parlament, komisionin për hetimin e veprimtarisë së McGonigal në Shqipëri. Siç e keni marrë vesh, ka një zhvillim shumë dramatik në këtë veprimtari. Gjer para 3 javësh, ish-tradhtari i kombit amerikan, McGonigal, gjykohej për dy çështje kryesore veças. Për çështjen Deripaska dhe lidhjen ruse, për çështjen Rama dhe lidhjen shqiptare. Njëra çështje gjykohej në Nju Jork, çështja tjetër gjykohej në Uashington. Çështja shqiptare kishte të bënte me ryshfet. Çështja tjetër kishte të bënte me probleme të tjera. Ryshfet me të cilin Edi Rama kishte angazhuar kryezbuluesin e FBI kundër opozitës, ndërkohë që ishte në detyrë. Natyrisht, Edi Rama ka imunitet diplomatik, por çështja e tij nuk mbyllet kurrë. Le të aktivizojë ai të gjithë miqtë e tij, me Alex e me George, ai nuk i shpëton dot ndëshkimit nga drejtësia amerikane. Por zhvillimi dramatik i para tre javëve është shumë thelbësor. Prokurori amerikan kërkon shkrirjen e çështjeve, çka do të thotë se dosja shqiptare nuk është më vetëm dosje ryshfeti. Ne do bëjmë gjithçka për të dhënë kontributin tonë për hetimin e të gjithë personave të lidhur me aferën McGonigal, në Shqipëri dhe jashtë saj, me mundësitë që kemi," tha Berisha.

sali berisha

Sondazh

Poll