Sport

Kuqezinjtë shkruajnë historinë, kalojnë fazën e grupeve të finaleve në Gjermani...

Shqipëria ka shansin të marrë pjesë në fazën e eliminimit direkt, ku ditën e enjte, në orën 20:35, do të përballet me Ukrainën

7 Qershor 2023, 13:35 Nga DOSJA

Kuqezinjtë shkruajnë historinë, kalojnë fazën e grupeve

TIRANE - Shqipëria e minifutbollit shkruan historinë në Essen të Gjermanisë, duke e kaluar për herë të parë fazën e grupeve drejt fazës së eliminimit direkt. Kuqezinjtë e trajnerit Irtan Sejko, barazuan në ndeshjen e tretë me rezultatin 0-0 përballë Kolumbisë dhe kaq i mjaftoi Shqipërisë për të avancuar më tej në Botërorin e minifutbollit.

Në këtë fazë finaleve të Botërorit, kuqezinjtë kanë zhvilluar deri më tani 3 ndeshje, ku në të parën ajo me Portugalinë ishte ndër ndeshjet më emocionuese, ku pavarësisht pësimit të golit 4 minuta nga fundit, atmosfera në kompleksin sportive, ku po zhvillohej ndeshja ishte e mbushur me qindra tifozë kuqezi, të cilët mbi fushën e lojës ngritën një tjetër dron, këtë herë me flamurin shqiptar për të inkurajuar djemtë.

Në ndeshjen e dytë me Moldavinë, një ndër pretendentet kryesore të këtij Botërori, kuqezinjtë udhëhoqën për disa minuta takimin, falë golit të Xhuliano Reçit, por në fund takimi u barazua.

Me këtë pike të marrë dhe me atë të ndeshjes së fundit ndaj Kolumbisë 0-0, Shqipëria ka shansin të marrë pjesë në fazën e eliminimit direkt, ku ditën e enjte në orën 20:35, do të përballet me Ukrainën, e cila në fazën e grupeve ka arritur të marrë 3 fitore dhe 9 pikë të plota.

Ditën e nesërme në Gjermani është festë kombëtare dhe si rrjedhojë priten edhe më tepër tifozë shqiptarë që të jenë të pranishëm në arenën ku do të luhet ndeshja.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll