Aktualitet

Nuk justifikoi pasurinë, KPA lë në fuqi vendimin e KPK, shkarkohet gjyqtari Ramazan Avdiu

Gjatë seancave dëgjimore, u identifikuan mungesë burimesh për kthimin e një serie huash të dhëna me interes nga gjyqtari i Gjykatës së Elbasanit, Ramazan Avdiu.

6 Qershor 2023, 16:31 Nga m.s
Nuk justifikoi pasurinë, KPA lë në fuqi vendimin e KPK,
Ramazan Avdiu

TIRANE-Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi shkarkimin e gjyqtarit të Elbasanit, Ramazan Avdiu. Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit ka shpallur vendimin, pas ankimimit të gjyqtarit Ramazan Avdiu, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) që mban datën 6 maj 2021. Por trupi gjykues, në mënyrë unanime vendosi të lëjë në fuqi vendimin ndaj Avdiut.

Njoftimi

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz anëtare, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 37/2021, datë 07.07.2021 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Ramazan Avdiu kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 381, datë 06.05.2021.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 381, datë 06.05.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Ramazan Avdiu.

2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall sot, në Tiranë, më datë 06.06.2023.

Por çfarë ka ndodhur në vitin 2021 ku edhe gjyqtari u shkarkua nga detyra? Avdiu, gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë Elbasan prej vitit 2008, nuk arriti ta bindë trupën gjykuese për të ardhurat financiare. Çështja e tij qe rishikuar më parë në muajin prill të 2021, dhe Avdiu kishte kërkuar çelje sërish të shqyrtimeve të deklaratave të pasurisë, duke pretenduar për një gabim në analiza në lidhje me kthimin e disa huamarrjeve.

Gjatë seancave dëgjimore, u identifikuan mungesë burimesh për kthimin e një serie huash të dhëna me interes nga gjyqtari i Gjykatës së Elbasanit, Ramazan Avdiu.

Duke iu referuar KPK, shumat e kthyera nga huamarrësit janë trajtuar dhe deklaruar nga Avdiu si kthim i principalit, me qëllim shmangien e pagimit të detyrimeve për të ardhurat e siguruara nga interesat. Gjithashtu, në disa raste janë konstatuar edhe pamundësi financiare për dhënien e huave.

Gjatë seancës së dytë dëgjimore të zhvilluar më 30 prill të 2021, gjyqtari Ramazan Avdiu i kundërshtoi gjetjet e KPK, dhe kërkoi që të merreshin në konsideratë shpjegimet dhe provat e dorëzuara prej tij.

Kryesuesi i trupës gjykuese, Olsi Komici deklaroi se me shumicë votash, ishte rrëzuar kerkesa e gjyqtarit Avdiu për riçeljen e hetimit për të tri kriteret e rivlerësimit, dhe se ishte vendosur shkarkimi i tij nga detyra.

ramazan avdiu gjyqtar i shkarkuar vettingu

Sondazh

Poll