Aktualitet

“Na lanë në rrugë, shpërblimi i Bashkisë është tallës”/ IMT i shembi banesën, gruaja hyn në grevë urie

Tatjana hedh akuza mbi Bashkinë, se të gjithë aksionin e ka bërë në favor të dy ndërtuesve “Çobo” dhe “Hanxhari”

3 Qershor 2023, 15:30 Nga m.s
“Na lanë në rrugë, shpërblimi i Bashkisë
Tatjana Hoxhaj

TIRANË- Tatjana Hoxhaj, së cilës iu shemb banesa 2+1 në Vlorë, ka hyrë në grevë urie. Ajo prej tre ditësh ka qëndruar pranë rrënojave, ndërsa tregon se kjo familje nuk ka bërë asnjë marrëveshje me Bashkinë. Tatjana hedh akuza mbi Bashkinë, se të gjithë aksionin e ka bërë në favor të dy ndërtuesve “Çobo” dhe “Hanxhari”. Ajo ka thënë në një intervistë për “Faxnews” se nuk kanë pranuar shpërblimin e Bashkisë, duke e konsideruar vlerë fyese. Sipas saj, në hapsirën e cila u shemb, do të ndërtohet një pallat dhe asnjë projekt publik.

“Nuk pranojmë shpërblimin e Bashkisë, është tallëse dhe vlerë fyese. Na kanë lënë në rrugë. Ndërsa në këtë hapësirë nuk do ndërtohet asnjë projekt publik, kemi dokumente se këtu do ndërtohet pallat”, tha ajo.

Familja Hoxha ka deklaruar se nuk do e lënë me kaq, por do të ndjekin rrugën ligjore. Vjola Hoxhaj, vajza e familjes, e reja që u shoqërua me forcë nga uniformat blu, tregon momentin që e kanë nxjerrë nga banesa pa asnjë lajmërim. Ajo thotë se IMT i shembi banesën me të gjitha orenditë brenda. Vjola Hoxhaj shton se ka kërkuar të bëjë kallëzim për policinë, që e dhunuan gjatë shoqërimit, por kallëzimi nuk i është regjistruar.

Bashkia e Vlorës shembi pallatin e vjetër dy katësh, për të ndërtuar një rrugë të re që do të lidhë lagjen “Skelë” me Lungomaren, ndërsa 63-vjeçarja pretendon se në këtë truall është dhënë leje për pallat të ri.

Në pallatin dy katësh që u rrafshua jetonin 7 familje, të cilat kanë liruar shtëpitë në këmbim të parave të shpronësimit, ndërsa Tatjana vijon betejën.

prishja e shtepise tatjana hoxhaj vlore

Sondazh

Poll