Aktualitet

Aksi "Thumanë-Vorë-Kashar", 179 mln lekë për shpronësim! Pronarët që preken nga projekti, kompensim me vlerë të plotë! Përfitojnë edhe banorët e Bërxullës

Vendimi do të hyjë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletore zyrtare me një afat përfundimi 3 muaj.

31 Maj 2023, 20:52 Nga k.m.

Aksi "Thumanë-Vorë-Kashar", 179 mln lekë për

TIRANË- Këshilli i Ministrave ka vendosur të shpronësojë me vlerë të plotë banorët që preken nga ndërtimi i aksit rrugor “Thumanë - Vorë -Kashar”. Në vendimin e sotëm të Këshillit të Ministrave shkruhet se shpronësimi do të ketë vlerë të plotë, me një kosto totale prej 179 milionë lekësh. Vendimi do të hyjë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletore zyrtare me një afat përfundimi 3 muaj.

Nga ky vendim pritet të përfitojnë edhe banorët e fshatit Bërxullë në periferi të Tiranës, të cilët preken nga ky projekt, të cilët prej disa muajsh kanë protestuar për të marrë dëmshpërblim për pronat që i preken nga projekti. 

VENDIMI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE:

VENDIM PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I AKSIT RRUGOR THUMANË – VORË – KASHAR”. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i aksit rrugor Thumanë – Vorë – Kashar”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit, “ arë”, “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 179 008 557.70 (njëqind e shtatëdhjetë e nëntë milionë e tetë mijë e pesëqind e pesëdhjetë e shtatë pikë shtatëdhjetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 179 008 557.70 (njëqind e shtatëdhjetë e nëntë milionë e tetë mijë e pesëqind e pesëdhjetë e shtatë pikë shtatëdhjetë) lekësh, përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve” në Bankën e Shqipërisë.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

8. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga kontrata e koncesionit / partneritetit publik privat, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, shoqërisë “Gener 2”, sh.p.k, dhe shoqërisë “G2 Infra”, sh.p.k.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Krujë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, shoqëria “G2 Infra”, sh.p.k., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Krujë, Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Durrës, Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

vkm 31 maj 2023

Sondazh

Poll