Bota

Tensionet në Veri/ Reagon Haradinaj: Kurti dhe Osmani e kthyen vendin 10 vite pas, kryeministri të japë dorëheqjen

Haradinaj është shprehur se Kurti ka në dorë të bëjë vetëm një gjë të mirë për Kosovës, që është të japë dorëheqjen.

30 Maj 2023, 18:10 Nga f.i

Tensionet në Veri/ Reagon Haradinaj: Kurti dhe Osmani e kthyen vendin 10

KOSOVË- Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është treguar i ashpër me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten e vendit Vjosa osmani, në një reagim në lidhje tensionet e fundit në veri të Kosovës dhe pasojat që një situatë e tillë ka sjellë në marrëdhëniet me ndërkombëtarët.

Haradinaj është shprehur se Kurti ka në dorë të bëjë vetëm një gjë të mirë për Kosovës, që është të japë dorëheqjen.

Postimi i plotë:

Albin Kurti e Vjosa Osmani për më pak se tre vjet në pushtet, nuk kanë lënë sukses pa e kthyer përmbys. Ata për kaq pak kohë e kanë kthyer Kosovën dhjetë vjet mbrapa.
Përjashtimi i Kosovës nga ushtrimi i NATO-s “Defender Europe 2023” është alarm për sigurinë tonë nacionale. Duhet të jesh shumë dritëshkurtër që në këtë kohë kaq delikate, të armiqësohesh me krejt botën demokratike?
Shtetet investojnë me dekada për të krijuar miqësi dhe aleanca. Në rastin tonë, del një Albin Kurti e tenton t’i rrëzojë ato. Ka pasur edhe të tjerë në historinë tonë që kanë dashur t’i përmbysin këto aleanca, por Kosova ka qenë më e madhe se sa vogëlsia e tyre dhe ka triumfuar. Ajo nuk ka alternativë tjetër përpos të triumfojë edhe këtë herë.
Populli i Kosovës që është populli më properëndimor i kontinentit, do të dijë t’i ruajë miqtë dhe orientimin e vet. Është i vogël Albin Kurti t’ia nderrojë orientimin Kosovës dhe popullit të saj.
Ai e ka vetëm një shans, që njëherë në jetën e tij t’ia bëjë një të mirë Kosovës! Të japë dorëheqje qysh sot!

Si paraqitet situata në veri të Kosovës?

Qytetarët serbë kanë dalë sot sërish në protestë në veri të Kosovës për të ndaluar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në selitë e komunave në veri Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç. Protesta ka nisur pa incidente, ndërsa KFOR dhe Policia e Kosovës kanë ngritur barrikada sigurie rreth ndërtesave shtetërore për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Ndërkohë, kryekomunarët kanë njoftuar se për shkak të situatës, ata sot nuk do të paraqiten në zyrat e punës. KFOR ka bërë thirrje për uljen e tensioneve nga dy palët e konfliktit Kosovë-Serbi, ndërsa ka kërkuar që të mbahet përgjegjësi për ushtarët e plagosur. Ngjarja është në zhvillim.

tensionet në veri të kosovës

Sondazh

Poll