Sport

Skuadra e mesfushorit kuqezi rikthehet në Bundesligë pas 6 vitesh!

Skuadra e Darmstadtit, ku aktivizohet mesfushori I kombëtares shqiptare Klaus Gjasula, arriti me fitoren në javën e parafundit të sigurojë rikthimin në elitën e futbollit gjerman.

19 Maj 2023, 22:53 Nga DOSJA
Skuadra e mesfushorit kuqezi rikthehet në Bundesligë pas 6 vitesh!

GJERMANI – Kur kishin mbetur edhe dy javë nga mbyllja e sezonit, Darmstadti i mesfushorit të kombëtares shqiptare, Klaus Gjasula mundi Magdeburgun me rezultat 1-0 para tifozëve të tij, duke siguruar kështu rikthimin në Bundesligë pas gjashtë vitesh.

Phillip Tietz shënoi një gol në minutën e 36-të të ndeshjes për t'i dhënë fitoren ekipit vendas Darmstadt. Një ndeshje para përfundimit të sezonit, Darmstadt arriti në 67 pikë, pra gjashtë më shumë se Heidenheim i vendit të dytë dhe shtatë më shumë se Hamburg, që mban vendin e tretë.

Edhe pse të dyja skuadrat kanë një ndeshje më pak, Darmstadt siguroi të paktën vendin e dytë, që sjell edhe kalimin direkt në Bundesligë.

Kujtojmë se skuadra e tretë do të luajë për një vend në Bundesligë me klubin që në fund të sezonit do të jetë i 16-ti në renditjen elitare të futbollit të klubeve gjermane. Hertha me shumë gjasa do të jetë në divizionin e dytë në sezonin e ardhshëm sepse ka 25 pikë në dy xhirot para fundit.

Shtutgarti i dyti nga fundi ka 29 pikë, Schalke është në vendin e 16-të me 30, ndërsa Bochum (31) dhe Hoffenheim (32) po luftojnë për mbijetesë.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll