Bota

Sot 4 kryetarët e komunave marrin detyrën, vendet e Quint-it, thirrje për siguri në veriun e Kosovës

Në një deklaratë të përbashkët, pesë vendet e Quint-it, ku përfshihen Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve në rajon që të punojnë së bashku drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme përfaqësuese në këto komuna.

19 Maj 2023, 08:34 Nga a.l
Sot 4 kryetarët e komunave marrin detyrën, vendet e Quint-it, thirrje
Mitrovica e Veriut

KOSOVË- Sot katër kryetarët e rinj të zgjedhur në krye të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, do të bëjnë betimin e tyre dhe do të marrin zyrtarisht detyrën. Në një deklaratë të përbashkët, pesë vendet e Quint-it, ku përfshihen Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve në rajon që të punojnë së bashku drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme përfaqësuese në këto komuna.

“Nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa – përfshirë nga kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale – që nuk i shërbejnë popullit ose që mund të rrisin tensionet. Kjo përfshin ushtrimin e më shumë se kompetencave administrative dhe procesin e marrjes së detyrës pasi nuk ka kërkesë që kryetarët e komunave të bëjnë betimin në zyrat komunale. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin. Ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë nevojën për përparim urgjent për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, thuhet në deklaratën e përbashkët të vendeve të Quint-it.

Më 23 prill, në komunat veriore, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok – janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor, në zgjedhje kanë dalë 1.567 votues apo 3.47 për qind e trupit zgjedhor. Kryetarët e sapozgjedhur të gjithë të partive shqiptare, duhet të kryejnë betimin dhe të hyjnë nëpër zyrat e reja, ndonëse ato kanë funksionuar sipas sistemit të Serbisë. 

mitrovica e veriut

Sondazh

Poll