Bota

Zgjedhjet në Turqi, Kilicdaroglu: Unë do t'i kthej refugjatët brenda 2 viteve

Në muajt e fundit, Kilicdaroglu tha se në rast fitoreje do të kujdeset për riatdhesimin e refugjatëve gjatë dy viteve të tij të para në udhëheqjen e Turqisë.

18 Maj 2023, 17:21 Nga I.A
Zgjedhjet në Turqi, Kilicdaroglu: Unë do t'i kthej
Kemal Kilicdaroglu

TURQI- Kemal Kilicdaroglu po ngre tonin për çështjet e refugjatëve dhe terrorizmit duke iu drejtuar votuesve nacionalistë përpara raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale të Turqisë.

"Unë nuk jam ulur në tryezë me organizatat terroriste dhe kurrë nuk do ulem. Unë do t'i kthej të gjithë refugjatët sapo të marr pushtetin," tha kandidati i aleancës opozitare në Ankara. 

Në muajt e fundit, Kilicdaroglu tha se në rast fitoreje do të kujdeset për riatdhesimin e refugjatëve gjatë dy viteve të tij të para në udhëheqjen e Turqisë. Fjalët e tij, me një ton jashtëzakonisht të ashpër, duket se i drejtohen 2.8 milionë votuesve që në raundin e parë të zgjedhjeve votuan për ultra-nacionalistin Sinan Ogan, i cili mori 5.2% të votave.

Kë do të mbështesë Ogan?

Sipas shtypit turk, Sinan Ogan është takuar dje me një nga gjashtë liderët e aleancës opozitare dhe ka gjasa të takohet edhe me Kemal Kilicdaroglu. Ogan pritet të japë një drejtim për të votuar ndaj njërit apo tjetrit kandidat në zgjedhjet presidenciale, por nuk është e sigurt që direktiva e tij do të zbatohet masivisht nga votuesit e tij.

Fushata zgjedhore e kandidatit ultra-nacionalist u fokusua në nevojën e dëbimit të 4 milionë refugjatëve që ndodhen në tokën turke, 90% e të cilëve janë refugjatë sirianë. Kemal Kilicdaroglu, i cili po premton të kthejë refugjatët sirianë, akuzoi sot presidentin në largim të Turqisë se sjell 10 milionë refugjatë në vend.

“Nëse qëndrojnë në pushtet, do të ketë edhe 10 milionë refugjatë të tjerë (...) Do të ketë plaçkitje. Qytetet do të përcaktohen nga mafia dhe tregtarët e drogës. Femicidet do të shtohen”, tha ai sot.

Ai akuzoi Erdoganin për negociata me PKK

Për çështjen e terrorizmit, ai akuzoi Erdoganin për kryerjen e negociatave sekrete me PKK. Ai gjithashtu akuzoi presidentin në largim për ushqyerjen dhe forcimin e lëvizjes së predikuesit në mërgim Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e fajëson gjithashtu për tentativën e grushtit të shtetit të vitit 2016.

"Unë nuk jam dhe nuk do të anashkaloj kurrë ata që komplotuan kundër ushtarëve tanë," tha Kilicdaroglu në përgjigje ndaj Erdogan.

Kandidati i opozitës turke denoncoi edhe parregullsitë e raundit të parë të zgjedhjeve turke.

"Ne nuk kemi nevojë për një dhe dy, por pesë vëzhgues në çdo qendër votimi," tha ai.

kemal kilicdaroglu

Sondazh

Poll