Art&Argëtim

Fillon sot Festivali i Filmit në Kanë, 21 filma në garë

Festivali do të zgjasë deri më 27 maj 2023 dhe 21 filma janë në garë për Palmën e Artë. Imazhi i festivalit këtë vit është aktorja franceze Catherine Deneuve me portretin e saj të madh në hyrje të pallatit.

16 Maj 2023, 16:09 Nga f.i
Fillon sot Festivali i Filmit në Kanë, 21 filma në garë
foto ilustruese

FRANCË- Festivali i Filmit në Kanë fillon sot dhe figurat më të mëdha nga industria ndërkombëtare e filmit do të zbresin në qytetin francez. Festivali do të zgjasë deri më 27 maj 2023 dhe 21 filma janë në garë për Palmën e Artë, shkruajnë mediat e huaja.

Imazhi i festivalit këtë vit është aktorja franceze Catherine Deneuve me portretin e saj të madh në hyrje të pallatit. Fotoja bardhezi është e vitit 1968 nga produksioni i “La chamada” me regji të Alain Cavalier. Festivali, i cili vlerëson trashëgiminë e tij, zgjodhi vajzën e Catherine Deneuve dhe aktorit italian Marcello Mastroianni, Chiara Mastroianni, gjithashtu aktore, për të hapur dhe mbyllur zyrtarisht festivalin e filmit.

Këtë vit, në tapetin e kuq të Kanës do të parakalojnë yje si: Leonardo DiCaprio, Natalie Portman e Harrison Ford. Hapja pritet të bëhetë me filmin “Jeanne du Barry”, me regji të francezes Maiwenn, me protagonistë Johnny Depp dhe vetë regjisoren Maiwenn.

Festivali i Kanës nisi më 1939-ën, si një alternativë që kundërshtonte Festivalin e Filmit të Venecias, atëherë nën influencën fashiste. Festivali njihet për përzgjedhjen e kujdesshme të filmave, të cilët pasi kalojnë nga “Kana”, e kanë të sigurt lavdinë në Oscars, ose një karrierë të ndritur të regjisorëve.

festivali i filmit ne kane

Sondazh

Poll