Bota

Raporti për Kosovën 2022/ Von Cramon në PE: Kosova vazhdon të dëshmojë kapacitetet e saj demokratike

Gjithashtu, Von Cramon ka theksuar se raporti nënvizon sukseset dhe hapat që duhet të ndërmerren në fushën e demokracisë.

10 Maj 2023, 14:35 Nga a.l
Raporti për Kosovën 2022/ Von Cramon në PE: Kosova vazhdon
Viola von Cramon

KOSOVË- Gjatë seancës së Parlamentit Evropian ku u diskutua për raportin për Kosovën për 2022, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka thënë se janë arritur rezultate të rëndësishme në fushën e luftimit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në gjithë vendin.

Sipas saj, Kosova po vazhdon të dëshmojë kapacitetet e saj demokratike. Ndër të tjera, eurodeputetja ka shtuar se raporti shqyrton reformat dhe arritjet e Kosovës, ku Evropa më në fund po i hap dyert dhe qytetarët do të kenë mundësi që të udhëtojnë pa kërkesa për vizë.

Fjalimin për raportet e Kosovës e mbaja çdo vit që nga viti 2019, duke shpresuar se më në fund mund të them, ‘gëzuar lirinë e lëvizjes’, kjo nuk është më kërkesë apo shpresë, është realitet, që nga janari i vitit të ardhshëm qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë nëpër Evropë pa asnjë kërkesë për vizë, letra ftese, procedura të kushtueshme, apo duke pritur në radhë, Evropa më në fund po i hap dyert. Viti i kaluar ishte një vit sfidues për të gjithë. Ndërsa pamë tmerret e luftës që po kthehej në Evropë, Qeveria e Kosovës, duke i ditur mirë këto tmerre, demonstroi solidaritet të plotë me Ukrainën, duke u rreshtuar me sanksionet e BE-së dhe madje duke mirëpritur gazetarë ukrainas, për çka dëshiroj t’i falënderoj thellësisht”, ka thënë Von Cramon.

Gjithashtu, Von Cramon ka theksuar se raporti nënvizon sukseset dhe hapat që duhet të ndërmerren në fushën e demokracisë.

Raporti ynë prek vetëm sipërfaqen e sfidave dhe çështjeve që e presin Kosovën, por qartësisht nënvizon sukseset dhe çfarë duhet të ndërmerret në fushën e demokracisë, luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, energjisë dhe mjedisit. Kështu që unë do të përshkruaj vetëm tre procese kryesore, sundimin e ligjit, lirinë e medieve, dialogun e lehtësuar nga BE, dhe tranzicionin energjetik. Kosova vazhdon të dëshmojë kapacitetet e saj demokratike duke pasur një peizazh politik pluralist, i cili demonstrohet me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Peizazhi mediatik është gjithashtu i devijuar në krahasim me shtetet e tjera në rajon, por megjithatë është e rëndësishme që gazetarët mbeten të pavarur. Janë arritur rezultate të rëndësishme në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në mbarë Kosovën”, ka shtuar ajo.

Në fjalën e saj në seancën e Parlamentit Evropian, eurodeputetja u bëri thirrje 5 vendeve të Bashkimit Evropian të njohin  Kosovën, në mënyrë që procesi i dialogut me Serbinë të arrihet sa më shpejt. 

viola von cramon

Sondazh

Poll