Aktualitet

Vrasja e Vuksanit në Shkodër/ Autori: Debatuam për qiranë, e vrava me automatikun e tij

34-vjeçari ka deklaruar se të dy janë nga Dukagjini dhe se i kishte marrë shtëpinë me qira prej disa kohësh

4 Maj 2023, 10:51 Nga m.s
Vrasja e Vuksanit në Shkodër/ Autori: Debatuam për qiranë, e
Leke Vuksani dhe Petrit Vuksani

SHKODËR- Sherret për qiranë, pagesat e ujit dhe të energjisë elektrike kanë sjellë ngjarjen e rëndë në Shkodër ku humbi jetën Petrit Vuksani. Në dëshminë e dhënë për policinë Shkodër, Lekë Vuksani i cili u kap pas 21 orësh në arrati, ka thënë se armën që kreu vrasjen (automatik) e ka gjetur në shtëpinë e viktimës.

34-vjeçari ka deklaruar se me viktimën janë nga Dukagjini dhe se i kishte marrë shtëpinë me qira prej disa kohësh. Sipas tij, pronari (viktima) Petrit Vuksani ka pretenduar se nuk janë paguar nga qiramarrësi Lekë Vuksani. Lekë Vuksani qëlloi për vdekje në shtëpinë e tij 51-vjeçarin Petrit Vuksani.

DËSHMIA E AUTORIT 

“Me Petritin jemi njohur sepse edhe ai është nga Dukagjini. I kam marrë shtëpinë me qira duke qenë se ndodhej në Angli. Muajt e fundit kemi patur disa debate për qiranë e shtëpisë, por edhe për pagesat e ujit dhe të energjisë elektrike. Atë ditë kur ndodhi vrasja, Petriti erdhi dhe më nxori nga shtëpia. Unë u ktheva dhe e gjeta vetëm. Aty kemi debatuar dhe në debat e sipër gjeta një automatik që nuk është i imi, por i Petritit. Në debat e sipër kam marrë armën dhe e kam qëlluar”, mësohet të ketë thënë autori i dyshuar i vrasjes, në bisedën me efektivët. Pavarësisht pretendimit se arma e krimit është e viktimës, policia ka prova se armën e solli autori i dyshuar me vete dhe se ishte e tij. 

DËSHMIA E VËLLAIT TË AUTORIT 

Për hedhjen dritë të kësaj ngjarje, duket se ka patur një bashkëpunim nga ana e vëllait të autorit të dyshuar me policinë Shkodër.  “Unë e kam njohur Petritin, por edhe vëllain e Petritit e njoh dhe e kam shumë shok. Unë nuk kam qenë aspak në dijeni për vrasjen që do të kryente vëllai im, sepse po ta kisha ditur do bëjë maksimumin për ta parandaluar. Më vjen shumë keq për çfarë ka ndodhur sepse kisha miqësi me familjen e viktimës”, deklaroi vëllai i autorit të dyshuar të vrasjes.

Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Tom Kola” të Shkodrës. 34-vjeçari u vu në pranga falë bashkëpunimit të policisë së Shkodrës me forcat RENEA. Autoritetet po ashtu kanë mundur të sekuestrojnë edhe armën e krimit./Dosja.al

lekë vuksani petrit vuksani

Sondazh

Poll