Bota

A po i “kthejnë shpinën” të rinjtë në Britani mbretit Charles III? Ç'u zbulua nga sondazhi i ri për BBC 12 ditë para kurorëzimit

Vetëm disa ditë para kurorëzimit vezullues të mbretit Charles, një sondazh i ri në Britaninë e Madhe tregon se 4 në 10 britanikë të moshës 18 deri në 24 vjeç preferojnë një kryetar shteti të zgjedhur dhe jo një monark.

24 Prill 2023, 21:27 Nga k.m.
A po i “kthejnë shpinën” të rinjtë në
Mbreti Charles III dhe Camilla

BRITANI E MADHE- Dita e madhe po afron për mbretin e ri të 'Albionit të Vjetër' pasi më 6 maj Charles do të kurorëzohet zyrtarisht mbret në Westminster Abbey me gruan e tij Camilla në krah, e cila pas kurorëzimit do të mbajë titullin mbretëreshë. Por duket se të rinjtë e Mbretërisë së Bashkuar nuk duan vazhdimin e monarkisë.

Sipas një sondazhi të ri të kryer vetëm 12 ditë para kurorëzimit të Charles dhe Camilla, pothuajse 40% e të rinjve në Britani të moshës 18 deri në 24 vjeç thanë se donin një kryetar shteti të zgjedhur dhe jo një monark. Në të njëjtin sondazh me njerëz të të gjitha moshave, vetëm një pakicë thanë se ishin të interesuar për familjen mbretërore. Në veçanti, pjesëmarrësit e anketës mbi 65 vjeç ishin ata që u deklaruan si mbështetës të monarkisë në masën 78%, por institucioni po bëhet gjithnjë e më pak popullor tek brezat e rinj.

Më shumë se gjysma e atyre që kanë marrë pjesë në sondazh, 54%, thanë se monarkia i sjell fitime vendit, në ndryshim nga 32%, të cilët besojnë se institucioni sjell dëme në ekonomi, ndërsa për të njëjtën pyetje të rinjtë nga 18 deri në 24 vjeç në 40% vlerësuan se institucioni është i dëmshëm për ekonominë, ndërsa 36% e tyre deklaruan të kundërtën. 

Kurorëzimi i mbretit 74-vjeçar Charles dhe mbretëreshës 75-vjeçare Camilla po afrohet me shpejtësi dhe mbretërit, mbretëreshat, princat, princeshat, aristokratët dhe krerët e shtetit kanë marrë ftesat e tyre. 2000 do të jenë personalitetet që janë ftuar më 6 maj në Westminster Abbey, në dallim nga 8,000 që u ftuan në kurorëzimin e Elizabeth në 1953. Ndër të parët gjakblu që thonë se do të marrin pjesë në kurorëzimin vezullues të monarkut britanik janë Princi Albert dhe Princesha Charlene e Monakos. “Të pranishmen” do ta japin edhe mbreti Felipe dhe mbretëresha Letizia e Spanjës, Carl Gustav i Suedisë me vajzën e tij princeshën dhe trashëgimtaren e fronit, Victoria, mbretërit e Holandës Willem Alexander dhe Maxima. Atyre do t'i bashkohet vajza dhe trashëgimtarja e tyre, princesha Amalia. Mbretëresha Margaret e Danimarkës nuk do të marrë pjesë për shkak të një operacioni në shpinë. Ajo do të përfaqësohet nga djali i saj,

Liderët politikë nga Evropa dhe vendet e Komonuelthit janë ftuar në kurorëzimin. Kryeministri britanik Rishi Sunak do të marrë pjesë si dhe ish-kryeministrat Liz Truss dhe Tony Blair dhe kryeministrja e re skoceze, Humza Yousaf. Presidenti francez Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij Brigitte janë ftuar, nga SHBA, Presidenti amerikan Joe Biden do të përfaqësohet nga bashkëshortja e tij Jill Biden. Të pranishëm do të jenë edhe presidenti polak Andrzej Duda dhe kryeministri australian Anthony Albanese. Publikimet britanike raportojnë se në ceremoninë e kurorëzimit të Charles do të marrin pjesë edhe emra të ndritur nga show biz-i , ndër ta përmenden emrat e David dhe Victoria Beckham, të cilët ishin të ftuar edhe në dasmën e Princit William dhe Kate Middleton në vitin 2011.

mbreti charles iii camilla

Sondazh

Poll