Sport

Disiplina ‘kryqëzon’ Partizani Basket për dhunën në “Asllan Rusi”, nuk shpëtojnë edhe katër lojtare që u përfshinë në konflikt…

Ndjejmë për detyrë të bëjmë këtë thirrje publike, për të shmangur dhunën sportive dhe për të ndjekur vlerat e “Fair Play” nga të gjithë aktorët e basketbollit, lojtarë, trajnerë, gjyqtarë, tifozë!

21 Prill 2023, 12:48 Nga DOSJA

Disiplina ‘kryqëzon’ Partizani Basket për dhunën

TIRANE - Federata Shqiptare e Basketbollit dënon dhe kërkon ndjesë publike për ngjarjen e ndodhur pas përfundimit të ndeshjes së dytë, gjysmëfinale ‘play-off’, Kategoria e I-rë femra, Partizani vs Tirana, datë 19 Prill 2023 në ambjentet e pallatit të sportit “Asllan Rusi”. Vlerat ndërnjerzore, respekti në fushën e lojës dhe jashtë saj janë shtylla kryesore e një gare sportive, të cilat lartësojnë misionin publik të një sporti.

Të indinjuar për ngjarjen e ndodhur, e cila ka njollosur imazhin e basketbollit në vend, duke marrë përmasa mediatike të pakontrolluara dhe që fatkeqësisht ndodh ndërmjet ekipeve më me zë të basketbollit shqiptar të femrave, në fazën më të rëndësishme dhe emocionuese, ‘play-off’.

Degradimi i situatës në përleshje fizike ka vënë në pikpytje punën tonë, të shoqatave anëtare dhe komunitetit të basketbollit në përgjithsi për edukimin dhe implementimin e vlerave të integritetit dhe respektit në fushën e lojës dhe jashtë saj.

Ndjejmë për detyrë të bëjmë këtë thirrje publike, për të shmangur dhunën sportive dhe për të ndjekur vlerat e “Fair Play” nga të gjithë aktorët e basketbollit, lojtarë, trajnerë, gjyqtarë, tifozë!

Komisioni i Disiplinës ka ndëshkuar shoqatën “Partizani Basket” si organizatore e ndeshjes për dështim në masat e sigurisë. Gjithashtu, janë ndëshkuar për sejlljen antisportive dhe në bazë të relatimit zyrtar të ndeshjes, lojtaret: Antoinette Alyssa Bannister (nr.33, Partizani), Lasonja Lavette Edwards (nr.22, Partizani), Ebi Dishnica (nr.12, SK Tirana) dhe Enisa Qosja (nr.23, SK Tirana).

Konsiderojmë të rendësishme vijimësinë e kampionateve dhe përmbylljen me sukses të tyre dhe në rast të përsëritjes së incidenteve të tilla do të merren vendime ekstreme për çdo cënim të vlerave sportive. Duke u distancuar nga akte të tilla, ftojmë të gjithë pjesëmarrësit të udhëhiqen nga fryma e respektit!”, njofton Federata Shqiptare e Basketbolli nëpërmjet një njoftimi për shtyp.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll