Aktualitet

“Përbën kërcënim”/ I ndaluan hyrjen në RMV, Policia e mbajti në komisariat Ahmed Kalanë, më pas e përzuri, Imami: Faktori shqiptar po goditet pas shpine

Kalaja do të mbante ligjëratë në fshatin Bojanë të Komunës së Sarajit në Shkup, në muajin e shenjtë të Ramazanit.

17 Prill 2023, 17:25 Nga F.M
“Përbën kërcënim”/ I ndaluan hyrjen në RMV,
Ahmed Kalaja

MAQEDONI E VERIUT- Ndalimi për hyrjen e Imamit në Maqedoninë e Veriut ka tërhequr vëmendjen e mediave të vendit fqinj. Klan Macedonia shkruan se policia në vendkalimin kufitar “Qafë Thanë”, e kanë mbajtur disa orë Imamin dhe me pas i kanë dhënë një dokument në të cilin shkruhej se i është refuzuar hyrja me arsyetimin se “përbën kërcënim për rendin kushtetues, sigurinë kombëtare, shëndetin publik apo marrëdhëniet ndërkombëtare të Maqedonisë së Veriut”.

Kalaja do të mbante ligjëratë në fshatin Bojanë të Komunës së Sarajit në Shkup, në muajin e shenjtë të Ramazanit.

“Para një muaji isha për të mbajtur ligjëratë dhe kisha informacione se të gjitha ndalesat janë hequr dhe emri im është fshirë nga listat. Dhe kur shkova sot mu dha ajo letra famëkeqe dhe diskriminuese” – tha Ahmed Kalaja për KlanMacedonia.

Ai thotë se ndjehet i diskriminuar dhe pret që nga intitucionet të japin përgjegjësi për këtë.

“Akoma faktori shqiptar nuk ka atë vendin e duhur qe duhet ta ketë. Faktori shqiptar është i brishtë dhe se luhet mbas shpine, mbas faktorit shqiptar në këtë shtet. Duhet që faktori shqiptar në këtë shtet të jetë më vigjilent,”- shtoi Ahmed Kalaja.

Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka deklaruar se policët kufitarë kanë zbatuar ligjin.

“Më datë 16.04.2023, ora 13:40 në vendkalimin kufitar në Qafë Thanë, gjatë hyrjes në vend është kontrolluar shtetasi A.K.(46) nga Republika e Shqipërisë, me veturë të tipit “Volvo” me targa të Shqipërisë. Nga kontrollet e kryera kufitare është konstatuar se në evidencën zyrtare për personin ka masë për ndalesë të hyrjes në vend,”- thonë nga MPB.

Lajmi u bë publik një ditë më parë nga vetë Imami në një postim në Facebook. Imami shkruante se ka udhëtuar në shumë shtete të botës dhe nuk i ka ndodhur kjo që si në Maqedoninë e Veriut. Ai përmendi dhe faktin që ky vend është pjesë e Ballkanit të Hapur, por shton se kjo nismë është shumë e bukur për të qenë e vërtetë pasi kalime pa pengesa, duket se nuk ka.

ahmed kalaja

Sondazh

Poll