Sport

“Jam parizien dhe me kontratë”, Mbappé ëndërron Lojërat Olimpike “Paris 2024”...

Golashënuesi më i mirë në historinë e klubit kryeqytetas shpreson të fitojë “sa më shpejt” Champions League me fanelën e PSG-së...

13 Prill 2023, 11:40 Nga DOSJA

“Jam parizien dhe me kontratë”, Mbappé

FRANCE - Ndërsa thashethemet për largimin e tij janë rikthyer (sidomos në mediat spanjole) që pas dështimit të ri të PSG-së në Champions League, Kylian Mbappé ka dashur t'i rregullojë gjërat. 

Në një intervistë për programin France 3 "Tout le Sport", në një takim të tij në Stade de France me fëmijë të sëmurë nga Shoqata "Premiers de cordée", sponsor i së cilës është edhe ai që nga viti 2017, sulmuesi parizien ka shprehur dëshirën e tij për të qenë ende në kryeqytet sezonin e ardhshëm. I pyetur se cili ishte hapi i radhës për të, kapiteni i skuadrës së Francës nuk la vend për dyshime apo hamendësime.

“Hapi tjetër? Unë do të doja të fitoja Champions League,- u shpreh golashënuesi më i mirë në L 1 dhe në historinë e PSG-së. - Unë kam bërë tashmë një finale, gjysmëfinale, çerekfinale, raundin e 16-të… Kam bërë gjithçka përveç fitores. Thjesht më mungon kjo. Shpresoj që të jetë sa më shpejt. Unë jam parizien dhe me kontratë. Pra, është për Paris Saint-Germain”.

“Jam parizien dhe me kontratë”, Mbappé

Verën e kaluar, numri 7 i kryeqytetasve e zgjati aventurën e tij në Parc des Princes për tre vjet me një kontratë rekord. Prandaj, sulmuesi 24-vjeçar, synon të qëndrojë në Francë të paktën deri në Lojërat Olimpike të vitit 2024, për të cilat ai ka shprehur interesimin e tij në disa raste. “Është ëndërr për mua të marr pjesë në Lojërat Olimpike, aq më tepër në Paris”,- thotë ai.

Por sulmuesi i PSG-së është i vetëdijshëm për pengesat për të marrë pjesë në një event që nuk është pjesë e kalendarit të FIFA-s. “Nuk varet vetëm nga unë. Ka një klub, një kombëtare, me një Euro më parë (nga 14 qershori deri më 14 korrik në Gjermani), ndaj duhet të diskutojmë, të kemi parasysh të gjitha këto parametra”, - vazhdon ai, pa e fshehur dëshirën e tij të jetë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll