Bota

S'merr pjesë në dialogun me Serbinë/ Gërvalla mohon problemet me Kurtin: Nuk ka përçarje mes nesh

Donika Gërvalla tha se ajo është pjesë e të gjitha proceseve dhe nuk ka asnjë problem.

10 Prill 2023, 19:39 Nga k.m.
S'merr pjesë në dialogun me Serbinë/ Gërvalla mohon
Albin Kurti dhe Donika Gërvalla

PRISHTINË- Bashkëkryetarja e Listës Guxo, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, mohon se ka probleme me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për marrëveshjen bazë me Serbinë. Në një intervistë që ka dhënë për "KosovaPress", Gërvalla tha se ajo është pjesë e të gjitha proceseve dhe nuk ka asnjë problem.

“Të gjitha hapat që i bëjmë edhe në raport me (marrëveshjen) e Brukselit dhe atë të Ohrit dhe në raport me gjitha vendimet që marrim, nuk është sekret që ne kemi një takim të rregullt të udhëheqësve të institucioneve më të larta të shtetit. Pra, kryetarit të Kuvendit, presidencës dhe kryeministrit, në të cilat gjithmonë jam e pranishme edhe unë. Jam pjesë e të gjitha proceseve, përpjekjet janë shumë naive për të na paraqitur sikur kemi qëndrime të ndryshme. Qëndrimet janë të Republikës së Kosovës, nuk janë individuale, as të kryeministrit, as të kryetarit të Kuvendit dhe as të ministres. Nuk kam asnjë problem, përkundrazi kam përkrahur kryeministrin në strategjinë e zgjedhur,”-thotë Gërvalla.

Duke nënvizur përkrahjen ndaj Kurtit në strategjinë që ka zgjedhur në këtë proces, ajo shtoi se koalicioni qeverisës është i qëndrueshëm.

"Janë naive përpjekjet për të na paraqitur sikur kemi qëndrime të ndryshme".

Aludimet kanë nisur pasi Gërvalla, edhe pse është ministre për Punët e Jashtme të Kosovës, sërish nuk është pjesë as e delegacionit në dialog me Serbinë, e po ashtu nuk ka qenë e pranishme as në takimet kokë më kokë që ka pasur kryeministri Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.  Gërvalla, por edhe deputetët e Partisë Guxo që janë në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë qenë më të heshtur pas arritjes se marrëveshjes bazë me Serbinë dhe aneksin e zbatimit të saj, duke mos e komentuar në publik asgjë, gjë që ka nxitur raportimet për mospajtime brenda kabinetit qeveritar.

albin kurti donika gërvalla dialogu kosove-serbi

Sondazh

Poll