Politike

Kandidatët rrezikojnë nga dekriminalizimi, Damian Gjiknuri: PS s'ka pasur informacione konkrete!

Damian Gjiknuri tha se PS nuk ka pasur informacione konkrete.

10 Prill 2023, 19:09 Nga k.m.
Kandidatët rrezikojnë nga dekriminalizimi, Damian Gjiknuri: PS
Damian Gjiknuri

TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri ka komentuar  kandidatët socialistë që rrezikojnë garën për zgjedhjet lokale të 14 majit, për shkak se nuk janë treguar të rregullt me plotësimin e formularit të dekriminalizimit. Në një intervistë që ka dhënë për "Klan News", Gjiknuri tha se PS nuk ka pasur informacione konkrete. Ai foli për rastin e Kuçovës ku u shpreh se kundravajtja e Kreshnik Hajdarit nuk futet tek ato vepra që e ndalojnë kandidimin.

“E para njëherë nuk besoj se PS ka pasur informacione konkrete. E dyta ligji i dekriminalizimit është bërë i tillë që edhe kur ne nuk kemi informacion të veprojë sepse shqiptarët sidomos, të lokalitetit të caktuar janë të mirinformuar ndonjëherë ose të paktën informohen në lidhje me të kaluarën e kandidatëve. E treta në rastin e Kuçovës mesa di unë, e para punës është një kundravajtje penale që nuk e pengon atë të kandidojë aq më tepër një djalë që në moshën 17-vjeçare paska kaluar kufirin me Greqinë si mijëra e mijëra shqiptarë të tjerë, na qenka ndëshkuar me gjobë nga autoritetet greke për kalimin e kufirit, gjë që nuk është fare nga ato veprat që e ndalojnë kandidimin,”- u shpreh Gjiknuri.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së është shprehur se nëse ndonjëri prej këtyre kandidatëve ndalohet të kandidojë, PS është gati të paraqesë të tjerë nëse u lejohet nga KQZ. Deri më tani rrezikojnë garën e 14 Majit për shkak të dekriminalizimit, Rezeart Tusha, kandidat i “Bashkë Fitojmë”; Qerim Ismailaj në Mallakastër dhe Kreshnik Hajdari, kandidatë të PS-së në Mallakastër dhe Kuçovë. 

damian gjiknuri zgjedhjet lokale 14 maj 2023

Sondazh

Poll