Bota

I dha fund epokës së Gjukanoviç, kush është Milatoviç, ekonomisti që nisi reformën e fuqishme për pagat

Politikani i ri malazez që u zgjodh sot President, ka treguar hapur se dëshiron lidhje më të forta mes Malit të Zi dhe Serbisë.

2 Prill 2023, 22:31 Nga F.M
I dha fund epokës së Gjukanoviç, kush është
Jakov Milatoviç dhe gruaja e tij, Milena

MALI I ZI- Ai është Presidenti më i ri i zgjedhur ndonjëherë në Malin e Zi. Jakov Milatoviç është një politikan i ri 37-vjeçar nga Podgorica që i ka hyrë politikës vetëm tri vjet më parë kur u bë ministër i Ekonomisë dhe Zhvillimit Ekonomik në kabinetin e Zdravko Krivokapiçit, kryeministrit të përshkruar si pro-serb në Mal të Zi.

Politikani i ri malazez që u zgjodh sot President, ka treguar hapur se dëshiron lidhje më të forta mes Malit të Zi dhe Serbisë.

“Mali i Zi dhe Serbia janë të lidhur nga historia e përbashkët, marrëdhëniet e mira e miqësia por edhe ekononomia... theksi duhte të jetë te përmirësimi i raporteve mes dy vendeve në të gjitha fushatat,”- është shprehur ndër të tjera Milatoviç.

Por, ai është gjithashtu mbështetës i anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian dhe në vitin 2006 ka votuar për pavarësinë në referendum.

Bashkë me Milojko Spajiç, ai themeloi partinë “Europe Noë!” (Evropa Tani) dhe siç shkruan REL, ata kishin demonstruar një zotësi për “thjeshtësime populiste”.

Spajiç dhe Millatoviç fituan një popullaritet të madh për shkak të një skeme reformash që dyfishoi pagën minimale nga 222 në 450 euro, duke bër që të rritet edhe paga mesatare, nga 530 në 670 euro.

Fillimisht ishte Spajiç ai që kishte planifikuar të garonte kundër Gjukanoviç në zgjedhjet presidenciale. Por, jetesa në Serbi dhe dyshimet se kishte shtetësi të dyfishtë bënë që të mos kishte mbështetjen e duhur.

Kështu që iu hap rruga Milatoviçit dhe tashmë ai ka marrë një mbështetje të madhe nga kundërshtarët e presidentit aktual që janë rritur ndjeshëm. Me 60.2% të votive, ai i dha fund epokës së Gjukanoviç.

Milatoviç është ekonomist me profesion, i arsimuar në Perëndim. Pas mbarimit të studimeve për ekonomi në Universitetin e Podgoricës, Milatoviç kaloi një vit si studiues në Universitetin Shtetëror të Illinois në Shtetet e Bashkuara dhe më pas përfundoi studime në Vjenë dhe Romë. Ai mori një diplomë master në ekonomi në Oksford.

Pas studimeve të tij akademike, ai punoi në një bankë rajonale dhe më pas në Deutsche Bank përpara se t'i bashkohej Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) si ekonomist në Londër dhe Podgoricë. Milatoviç është i martuar dhe gruaja e tij quhet Milena, e cila konsiderohet si një nga gratë më të bukura në radhët e partnereve të politikanëve në Malin e Zi.

Dyshja kanë tre fëmijë, vajzat Sara dhe Ana dhe djalin David. 

jakov milatovic milo gjukanovic zgjedhjet presidenciale ne mal te zi

Sondazh

Poll