Bota

'Ishte një refuzim shumë i ashpër'/ Kurti tregon reagimin e Vuçiçit kur i bëri ofertën e tij për të pranuar Asosacionin

Kryeministri tha se nëse oferta e tij do të ishte pranuar bisedimet do të vazhdonin.

22 Mars 2023, 13:16 Nga a.l
'Ishte një refuzim shumë i ashpër'/ Kurti tregon
Albin Kurti

KOSOVË- Kryeministrti Albin Kurti tha se lideri serb Aleksandër Vuçiç refuzoi në mënyrë të ashpër ofertën e tij për Asosacionin në takimin që u mbajt në Ohër, ku kishte propozuar që Asociacioni të hartohej në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe aktgjykimit të Kushtetueses, si dhe në bazë të qëndrimit të Brukselit dhe ëashingtonit, por lideri serb e ka refuzuar.

“Me këto tri shtylla unë iu kam thënë se ua sjell statutin si draft të shkruar nesër në mëngjes. Këtë ua kam thënë në pasditen e hershme të 18 marsit në takimin trilateral. Mirëpo, është refuzuar. Dhe jo vetëm që u refuzua, por në ato momente u tha që “nuk paskemi çfarë të diskutojmë më tutje, po humbim kohë, mundemi lirisht të ngrihemi nga ky takim dhe të shkojmë. Ishte një refuzim shumë i ashpër i ofertës”, tha ai. 

Kryeministri tha se nëse oferta e tij do të ishte pranuar bisedimet do të vazhdonin.

“Një ofertë shumë gjeneroze, parimore që nëse do të pranohej si premisë unë do të merrja barrën që të nesërmen në mëngjes, sepse ne kemi qëndruar atë natë të 18 marsit në Ohër, kemi mundur që t’i vazhdojmë bisedimet ku unë e sjell në tavolinë propozimin. Por, është refuzuar premisa. S’mund të sjell propozim pa pranuar premisën e saj. Njëherë pajtohesh në parim për shtyllat dhe më pastaj e sjell përmbajtjen. S’mund të sjell përmbajtje kur ti refuzon parimin”, tha ai. 

Takimi në Ohër

Kosova dhe Serbia mbyllën me dakordësim mbi aneksin e zbatimit të planit evropian në Ohër, i cili do të jetë i detyrueshëm për tu zbatuar nga të dy dy palët në momentin e publikimit. Përfaqësuesi i Lartë i unionit për Çështjet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, tha se Kurti dhe Vuçiç nuk e kanë firmosur dokumentin. Pas 12 orëve negociata, ai doli në një deklaratë për media ku u shpreh se bisedimet u ndalën në hapa praktikë dhe më në fund mes dy vendeve pati bisedime konkrete dhe dy palët u pajtuan për aneksin e propozimit evropian. Për rreth 10 orë u diskutua vetëm mes Albin Kurtit, Borrel, Vuçiç dhe Lajçak, por në një moment u kërkua me urgjencë prania e Gabriel Escobar. Propozimi evropian që përfshin 11 pika për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë konsiderohet si një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara dhe për të krijuar kushte paqësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në rajon.

albin kurti dialogu kosove-serbi

Sondazh

Poll