Bota

12 orë negociata me Kurtin, Vuçiç: Kemi arritur marrëveshje, por nuk është e gjitha. Nesër i prezantoj pikat

Vuçiç tha se në ditët në vijim do të bëjë të njohura për qytetarët pikat e marrëveshjes, duke pranuar se parimisht ka pasur një marrëveshje mes palëve. 

18 Mars 2023, 23:02 Nga k.m.
12 orë negociata me Kurtin, Vuçiç: Kemi arritur
Aleksandër Vuçiç

OHËR- Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka patur një dalje për mediat pas takimit me kryeministrin e Kosovës Kurti dhe zyrtarët e BE. Vuçiç tha se në ditët në vijim do të bëjë të njohura për qytetarët pikat e marrëveshjes, duke pranuar se parimisht ka pasur një marrëveshje mes palëve. 

"Jam i lumtur për këtë, por kjo sigurisht nuk do të jetë e gjitha. Këto pak pika që kemi rënë dakord do të bëhen pjesë e kuadrit të negociatave për të dyja palët. Një nga pikat kyçe është se Këshilli Evropian do të vlerësojë se sa është bërë nga plani i zbatimit, i cili do të zgjerohet. Formimi i Komunave serbe ishte vendosur si detyrim prioritar. Më duhet të them se jam shumë i kënaqur për këtë, flitet për persona të pagjetur, për konferenca donatorësh, etj. Plani do të duhet të përmirësohet. E di që pala shqiptare do të insistojë që unë nuk kam firmosur asgjë, të dy e kemi bërë të qartë se cilat janë linjat e kuqe të tij dhe cilat janë linjat tona të kuqe. Mendoj se ishte një ditë e mirë. Pavarësisht mosmarrëveshjeve tona të shumta, ne patëm një bisedë të mirë."

Vuçiç ka theksuar se çdo pikë të fjalimit do ta prezantojë nesër para mediave serbe.

"Nesër do të prezantoj çdo pikë, nga e hëna do të jem gati të pres përfaqësuesit e parlamentit për konsultime në muajt në vijim, se nuk është një detyrë e lehtë. Besoj se Prishtina do ta përmbushë menjëherë formimin e Komunave serbe, nëse duam të këmbëngulim në rrugën drejt BE-së, progresi ynë do të vlerësohet edhe nga sa jemi të gatshëm për zbatimin e marrëveshjes. Puna jonë është të gjejmë një rrugë për një të ardhme më të mirë për popullin serb dhe shqiptar përmes mosmarrëveshjeve tona. Nuk po them nëse dikush është bisedues i mirë apo i keq, ju takon juve të vendosni se kujt t'i besoni. Nuk më intereson se me kë flas nga Prishtina,"- tha presidenti serb.

Lidhur me formimin e Komunave serbe, presidenti shtoi: Duhet të formojmë një komision që do të kryesohet nga BE-ja, ka një afat kur të përfundojë diçka, kjo është konferenca e donatorëve për 5 muaj. Unë nuk do ta shqetësoj Kurtin, ne nuk kemi shumë obligime në këtë pjesë, nuk dua të mashtroj askënd, kur të takohemi herën tjetër, atëherë do të flasim për detyrimet tona. Ky është një proces i vështirë, për mua është e rëndësishme që kam thënë se cilat janë vijat tona të kuqe.

Presidenti i është përgjigjur edhe pyetjes nëse e ka problem të vizitojë Prishtinën.

"Sa më shpesh takohemi, mendoj se është mirë për marrëdhënien tonë. Më pëlqen shumë të shkoj në Graçanicë, dhe ka gjithashtu disa kafene të këndshme. Ejani, të shkojmë atje të festojmë, të kthejmë miqësinë mes serbëve dhe shqiptarëve,"- e mbylli ai diskutimin. 

aleksander vucic dialogu kosove-serbi

Sondazh

Poll