Politike

Masakra në Don Bosko/ PD: Dështim në sigurinë dhe rendin! Krimet marrin jetë të pafajshme, kryefajtorët janë Çuçi dhe Rama

Garo shprehet se ajo ngjarje është dëshmi e zbatimit të platformës së qeverisë ‘të hanë kokat e njëri-tjetrit’, e cila do te thotë rendi dhe siguria janë në duart e banditëve dhe të vrasësve.

14 Mars 2023, 13:56 Nga A.B
Masakra në Don Bosko/ PD: Dështim në sigurinë dhe rendin!
Floriana Garo

TIRANË- Partia Demokratike, nëpërmjet zëdhënëses së saj, Floriana Garos kanë reaguar për ngjarjen e rëndë që ndodhi pak ditë më parë në zonën e Don Boskos, në Tiranë. Garo shprehet se ajo ngjarje është dëshmi e zbatimit të platformës së qeverisë ‘të hanë kokat e njëri-tjetrit’, e cila do te thotë rendi dhe siguria janë në duart e banditëve dhe të vrasësve.

'Kjo situatë e rënduar e sigurisë, dhe besimit të humbur tek policia, pasqyrohen në serialin e ngjarjeve të krimit dhe terrorit që përgjakën para dy ditësh Don Boskon, e që kanë përgjakur rrugët dhe lagjet e Shqipërisë muajt dhe vitet e fundit. Partia Demokratike i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së viktimës dhe i uron shërim të shpejtë të plagosurve.'- thotë ndër të tjera Garo.

DEKLARATA E PLOTË:

Një atentat me 1 të vrarë e disa të plagosur, ka qenë bilanci i përplasjes së fundit mes bandave kriminale në lagjen Don Bosko në Tiranë. Në të vërtetë në rastin konkret, i breshërive të vrasësve me pagesë ndaj njerëzve të pafajshëm. Përtej lajmit të kronikës së zezë, që regjistroi një 58 vjeçare të vrarë, një grua pa asnjë lidhje me ngjarjen- përveç faktit se punonte në lokal për të mbajtur mbesën e vogël, ajo që mbetet, është pasiguria e qytetarëve, dhe lehtësia me të cilën operojnë kriminelët në Shqipëri.

Mbetet gjithashtu fakti se ngjarje të tilla dëshmojnë implikimin e organeve të drejtësisë me bandat e lidhura me qeverinë, të cilat me mbështetjen e saj, bëjnë ligjin në çdo skaj të vendit. Masakra e Don Boskos është dëshmi tjetër e zbatimit të platformës së qeverisë ‘të hanë kokat e njëri-tjetrit’, e cila do te thotë rendi dhe siguria janë në duart e banditëve dhe të vrasësve.

Kjo situatë e rënduar e sigurisë, dhe besimit të humbur tek policia, pasqyrohen në serialin e ngjarjeve të krimit dhe terrorit që përgjakën para dy ditësh Don Boskon, e që kanë përgjakur rrugët dhe lagjet e Shqipërisë muajt dhe vitet e fundit. Partia Demokratike i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së viktimës dhe i uron shërim të shpejtë të plagosurve.

Partia Demokratike denoncon, si kryefajtorë të situatës të dalë jashtë kontrollit, ministrin Çuçi dhe shefin e tij, Edi Rama.

Politika e këtij të fundit mbi rendin dhe sigurinë përshkruhet me vetë fjalët e tij: hëngshin kokat e tyre! Ne e dënojmë këtë filozofi si bashkëpunim de facto me krimin, si liçencë qeveritare për bandat dhe krimin, që të qëllojnë e të vrasin kë të duan dhe kur të duan.

Sepse krimi nuk harron kurrë të hajë koka të tjera, siç ndodhi me 58 vjeçaren, e cila u vra në sy të mbesës 10 vjeçare, ndërkohë që punonte turnin e dytë të ditës, me të vetmin qëllim, mbijetesën.

Shqipëria nuk mund të jetë një vend që qeveriset nga krimi, sepse ajo meriton një qeveri që e godet krimin, që nuk bën pakte me të, dhe nuk e lë situatën e sigurisë në rënie të lirë. Shqiptarët kanë një atdhe dhe një familje, dhe i duhen krijuar kushtet të jetojnë të lirë dhe të sigurtë në vendin e tyre, rrethuar nga të afërmit e tyre.

Masakra ndodhi pak ditë më parë në Don Bosko. Dy persona qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të lokalit të Fatjon Muratit duke lënë të vdekur banakieren Mimoza Paja, 58 vjeçe dhe pesë të tjerë të plagosur, mes tyre dhe një vajzë 10-vjeçare që u dëmtua nga xhamat e thyer. Të plagosurit e tjerë janë Sahit Murati (xhaxhai i Fatjon Muratit), Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Murati vetë ndodhej jashtë Shqipërisë në momentin që u krye atentati. Ai është i njohur në botën e krimit dhe si miku i ngushtë i Endrit Dokles, madje është marrë në pyetje për masakrën e Fushë Krujës, ku mbeti i vrarë Brilant Martinaj me dy miqtë e tij. Tashmë është shpallur në kërkim.

floriana garo

Sondazh

Poll