Politike

Zgjedhjet vendore/ Zëri i Amerikës: KAS ia kthen Celibashit kërkesat e dy PD-ve, çështja shqyrtohet sot

Pas vendimit të KAS-it, Bardhi ka akuzuar Komisionerin shtetëror se po pengon politikisht rregjistrimin e Partisë Demokratike” në zgjedhje, dhe se ai “ka detyrimin ligjor të shprehet menjeherë për kërkesën e PD për regjistrim. Zvarritja që ai po bën, është e paligjshme, është e papranueshme”.

14 Mars 2023, 13:49 Nga A.B
Zgjedhjet vendore/ Zëri i Amerikës: KAS ia kthen Celibashit
Mbledhja

Në Shqipëri, Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rrëzoi sot ankimimin e Partisë Demokratike të përfaqësuar nga zoti Enkelejd Alibeaj si dhe atë të Partisë Demokratike të udhëhequr nga ish kryeministri Sali Berisha, kundër vendimit të marrë të enjten e shkuar nga Komisioneri shtetëror Ilirjan Celibashi.

Sipas atij vendimi, Partisë Demokratike të përfaqësuar nga Alibeaj i kërkohej që brenda 48 orëve, të plotësonte autorizimin e lëshuar në 18 mars të vitit 2022, tre ditë para dorëheqjes, nga Lulzim Basha, në cilësinë e kryetarit të partisë. Përmes këtij autorizmi, Basha përcaktonte Alibeaj, Gazmend Bardhi dhe zotin Indrit Sefa për të përfaqësuar Partinë në raport me të tjerët. Po ashtu, kërkohej që deklarata solemne e angazhimit kundër shkeljeve të procesit zgjedhor, të firmosej po nga Basha, i cili de jure rezulton ende kryetar i partisë, dhe jo nga zoti Alibeaj.

Nga ana tjetër, ndonëse në pjesën shpjeguese të vendimit saktësohet se kërkesa e paraqitur nga zoti Berisha nuk qëndron, pasi KQZ i referohet vërtetimit të Zyrës së Rregjistrit të Partive politike pranë Gykatës së Tiranës, ajo megjithatë nuk është rrëzuar, pasi mungon në pjesën ku shprehet vendimi.

Për këtë arsye KAS-i, ka vlerësuar se për të dyja rastet nuk ka një vendim të shprehur, duke e rikthyer rastin dhe një herë te zoti Celibashi. Vendimi i këtij të fundit konsiderohet i ndërmjetëm, dhe se për më tepër nuk është më i vlefshëm, pasi ka humbur fuqinë me skadimin e afatit 48 orësh.

Pas vendimit të KAS-it, Bardhi ka akuzuar Komisionerin shtetëror se po pengon politikisht rregjistrimin e Partisë Demokratike” në zgjedhje, dhe se ai “ka detyrimin ligjor të shprehet menjeherë për kërkesën e PD për regjistrim. Zvarritja që ai po bën, është e paligjshme, është e papranueshme”.

KQZ njoftoi se Celibashi do të marrë në shqyrtim çështjen të martën pasdite./Marre nga Zeri i Amerikës

kqz 13 mars 2023 partia demokratike

Sondazh

Poll