Aktualitet

‘Çelësi’, vizita në Memaliaj, ç’deklaroi bashkëjetuesja e Sadikajt: Çoi ‘Golf’-in dhe erdhi me ‘Benz’, vura re diçka të dyshimtë

Partnerja e tij tha në dëshminë e saj të parë në polici, se kishte konstatuar diçka të pazakontë në serbatorin e makinës.

8 Mars 2023, 22:03 Nga F.M
‘Çelësi’, vizita në Memaliaj,
Aleksandër Sadikaj

TIRANË- Bashkëjetuesja e Aleksandër Sadikajt, 27-vjeçarit që u vra në Tiranë ka deklaruar që i riu ka qenë në Memaliaj tri ditë para se t’i ndodhte atentati, duke konfirmuar dëshmitë e dhëna nga nëna dhe të afërmit e tij. Në dëshminë e zbardhur nga “Në Shënjestër”, bashkëjetuesja e Sadikajt thotë se ai e kishte dërguar makinën e tij tip ‘Golf’ të bardhë në fshatin Kurjan të Fierit. Ai zgjodhi mesa duket të kthehet në Tiranë, me një ‘Benz’, automjet ku pasi u kthye në Tiranë, partnerja e tij tha në dëshminë e saj të parë në polici, se kishte konstatuar diçka të pazakontë në serbatorin e makinës.

“Më datë 8 Qershor 2022, Aleksandri ka qenë në Memaliaj ku ka qëndruar deri më datë 9 Qershor ku ka ardhur në Tiranë rreth drekës. Rreth orës 20.00 kemi parkuar makinën te parkingu i qendrës tregtare në zonën e Komunës së Parisit dhe kemi shkuar për të ngrënë darkë tek një restorant. Kur jemi kthyer rreth orës 23.30 kam vënë re se ishte hapur kapaku i llamarinës së sebratorit dhe e vura në dijeni Aleksin. Por ai nuk e vrau mendjen fare. Më pas mbylla kapakun dhe kemi shkuar në shtëpi. Të nesërmen kam dalë rreth orës 10:00 për punë ndërsa Aleksandri ka qenë në gjumë. Rreth orës 20.20 kam shkuar tek lokali ku kam qëndruar rreth dy orë dhe më pas jam larguar për në banesë. Ndërkohë që Aleksandri qëndroi dhe pak,”- tha bashkëjetuesja e Aleksandër Sadikajt.

Aleksandër Sadikaj, 27 vjeç u vra në një atentat me tritol me telekomandë. I riu me precedentë penalë ka qenë duke udhëtuar me makinë në momentin që atentatorët kanë shpërthyer tritolin me telekomandë. Sadikaj u nxorr pa gjymtyrë nga mjeti dhe kalimtarë të rastit e dërguan në spital ku dhe ndërroi jetë. 27-vjeçari ishte skeduar për një sërë veprash penale si vjedhje, vrasje, plagosje dhe mosbindje e kundërshtim të forcave të policisë. Por, vetë Fatmir Sadikaj, babai i 27-vjeçarit ka treguar se djali i tij ka pasur konflikte të vazhdueshme me Edmond Papën dhe dy persona të tjerë. Në dëshminë e dhënë nga Fatmir Sadikaj, emri i Papës është përmendur si Edmond Hoxha, me mbiemrin e dytë që njihet 49-vjeçari, por kjo ishte një indicie që Policia ta mbante në vëzhgim dhe të mund të shmangte vrasjen e 16 dhjetorit.

Shkak për konfliktin, sipas babait të Sadikajt është bërë një borxh që Papa i kishte 27-vjeçarit. Më konkretisht, ai i kishte blerë 100 kg hashash disa vite më parë, por nuk ia kishte shlyer të gjitha paratë. Për rrjedhojë, i riu ishte konfliktuar me 49-vjeçarin. Ndërsa Papa dyshohet të jetë vrarë në shenjë hakmarrjeje për Sadikajn. Albano Velo dhe Andrew Bode, të afërt me Sadikajn, kishin ndjekur prej ditësh Edmond Papën me makina nëpër Tiranë dhe Sarandë, deri në 16 Dhjetor, kur është kryer vrasja. Velo është vënë në pranga bashkë, por ka mohuar të ketë lidhje me vrasjen, ndërsa Bode vijon të jetë në kërkim si personi që ka qëlluar ndaj biznesmenit me 9 plumba.

aleksander sadikaj edomnd papa

Sondazh

Poll